Eridon Qardaku është lojtari i parë në futbollin shqiptar që ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Talenti shkodran i ekipit të Bylisit ka dhënë një prononcim të shkurtër për TCH ku ka folur për gjendjen e tij.
Ai ka treguar se nuk ka pasur simptoma, ndërsa ndihet mirë. Madje zbulon se është i gatshëm të zbresë në fushë për të zhvilluar një seancë stërvitore.
“Ndihem shumë mirë, përveçse kam dalë pozitiv. Jam shumë mirë dhe jam në gjendje normale. Jam munduar të stërvitem. Tani po mendoja të zhvilloja një tjetër stërvitje, nuk kam shqetësime. Simptoma kam pasur vetëm temperaturë të lehtë, por t’ia lejmë kohës.
Doja të bëja edhe një test pasi nuk jam i sigurt. Dhe ka pasur raste që testi i dytë ka dalë negativ. Nuk po ma bëjnë të mundur për një test të dytë”.
– E di se ku mund të jesh infektuar?
“Jo, kam udhëtuar drejt Shkodrës për shkak të një dëmtimi. Tani jam kthyer në Ballsh. Dhe, kam ndjerë pak temperaturë dhe ethe. Ja lashë faktit se kisha ftohtë natën. Për siguri, presidenti u tregua i gatshëm për testin. Bëra tamponin dhe nuk kam pasur kontakte me çunat pasi e kapëm në kohë. Doja edhe një test tjetër, pasi unë vetë kam qenë i rregullt. Nuk kam pasur kontakt, sërish edhe tani jam treguar shumë i kujdesshëm. Nuk e di ku mund ta kem marrë”.