“Ka gjithmonë një kohë për t’u përleshur me njëri-tjetrin për ide, bindje, politikë, për çfarëdo qoftë, por duhet të ketë sa herë koha e vë në pikëpyetje një moment për t’u bashkuar me njëri tjetrin për historinë tonë. Kush kujton, mendon apo propagandon se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personash, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike është ose naiv ose tejet i verbuar nga mllefi”, u shpreh kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, në përmbyllje të vizitës dyditore në Kosovë.
“Nuk erdha këtu për të bashkuar të gjitha partitë politike apo udhëheqësit e tyre në një tryezë, sepse e para kjo nuk është detyra ime dhe e dyta, ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik brenda të cilit sipas meje duhet të veproja. Asnjëherë nuk kam menduar mirë për këto, që duke bërë rolin e kryeministrit është përpjekur t’ju tregojë të tjerëve në shtetin tjetër se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë. Shqipëria e ka detyrim që të mbështesë Kosovën pa kushte, dhe cilido që është në rolin e kryetarit të qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mëshirim i këtij detyrimi”, tha Rama.
Më tej shtoi:
“Por Shqipëria nuk e ka dhe nuk e marrë përsipër detyrën e kujdestarit, apo tutorit që nga larg i tregon udhëheqësve në Kosovë se çfarë duhet të bëjnë. Unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë por për të dëgjuar nga të gjithë, dhe këtë s’mund ta bësh në një tryezë ku mund të ulen të gjithë, hapur opinionet e tyre. Pas 24 orësh di më shumë sesa para 24 orësh për situatën. Janë opinionet e një vëllai që jeton në shtëpi tjetër. Jemi vëllezër, por kemi dy shtete, dy shtëpi.”
Shkruar nga: top-channel.tv