Mjekja Aurora Meta Dollenberg foli për situatën e pandemisë në Shqipëri.
Mjekja e cila është edhe kryetare e federatës së mjekëve shqiptarë në Europë tha se Shqipëria është duke e përjetuar pikun e pandemisë tani, dhe jo në mars e prill, siç e përjetuan vendet evropiane.
“Ne po e përjetojmë pikun tani dhe jo atëherë kur u ndërmorën masat. Personalisht kam përgëzuar masat që u ndërmorën. Kemi dalë nga masat shtrënguese me të njëjtin intensitet siç hymë në izolim, me mendimin që ja dolëm dhe u harrua disi. Popullata duhet të bëj diçka, qeveria duhet të bëj diçka për të ndërgjegjësuar të gjithë strukturat për epideminë”, u shpreh ajo në abc.
Më tej, mjekja theksoi se transporti publik është një rrezik për përhapjen e pandemisë, për shkak të afërsisë që kanë pasagjerët me njëri-tjetrin.
“Transporti Publik është një rrezik shumë serioz. Shifrat që përmendim sot mund të bëhen akoma më të rënda nëse në autobusat e Tiranës ku njerëzit qëndrojnë vetëm 50 cm larg njëri tjetrit dhe jo një metër e gjysmë siç po zbatohet në të gjithë vendet e Europës. Është vënë re një valë e re e transportimit natyror me anë të biçikletave sepse dihet që rreziku i pandemisë do të na shoqërojë përgjatë gjithë 2020”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, mjekja tha se shqiptarëve disiplina u duket e tepruar dhe ky është gabimi jonë i përbashkët. Ajo shtoi se maska duhet të jetë detyrim për t’u mbajtur nga qytetarët.
“Vetë ne e kemi karakteristikë që jemi pak emocional, pak disiplina na duket e tepruar dhe zgjedhim ekstremet, ose në liri totale ose në izolim total. Mendoj që është një gabim i përbashkët i të gjithë trojeve shqiptare. Duhet gjetur një zgjidhje inteligjente në të gjitha trevat shqiptare që njerëzit të gëzojnë lëvizjen e lirë dhe të orientoheshin me anë të shigjetave, tabelave dhe përmes sanksionimeve nëse nuk binden në mënyrë vullnetare ndaj rregullave. Maska është një detyrim për ta mbajtur në ambiente të mbyllura, të gjithë duhet ta zbatojmë, e bën gjithë Europa duhet ta bej edhe Shqipëria.
Në gjermani është stabilizuar situata, ka pasur shpërthime të vogla tek tuk në fabrika ku njerëzit nuk kanë zbatuar rregullat. Qeveria gjermane në këto raste ka marrë sanksionime të rënda për sa i përket respektimit të masave me punonjësit dhe gjatë punës deri në mbyllje të aktivitetit”, u shpreh Meta-Dollenberg.
Sipas mjekes rezultatet e vaksinës në Gjermani kanë qenë pozitive, ndërsa shpreson që në vjeshtë të jetë edhe për Shqipërinë.
“Për sa i përket vaksinës në Gjermani, rezultatet e para të testimit kanë qenë pozitive tek rastet që është aplikuar dhe po tolerohet shumë mirë, dhe është shpresëdhënëse që në vjeshtë të jetë edhe për Shqipërinë”, u shpreh ajo.