Na ishte njëherë një fëmijë i varfër, me një top në duar, i cili kurrë nuk e imagjinonte se do të bëhej miliarder futbolli. Duket si një përrallë nga “Njëmijë e një netë”. Por, në fakt është fëmijëria e jetuar nga Cristiano Ronaldo, i cili me lodhje dhe talent arriti ta nxirrte familjen e tij nga varfëria ekstreme. Tani, ajo mund të përballojë çdo luks: vila, makina, pushime përrallore dhe jahte. E gjitha kjo, dikur ishte një ëndërr. Këtë e konfirmon motra e CR7, Katia Aveiro, në Instagram.
Ajo tregon se aq në hall ishin dikur, sa në shtëpi flinin me minjtë. Një i tillë madje e kafshoi Katia në fytyrë, vetëm ndërhyrja në kohë e nënës, Dolores, i shmangu problemet e mëdha. Motra e kampionit portugez publikoi një foto në Instagram, ku tregonte një shtëpi të vogël e të rrënuar në Funchal (Madeira): “Unë kam lindur në këtë shtëpi të vjetër. Shtrati im mbështetej në tulla dhe kur isha disa muajshe, një mi më kafshoi në fytyrë. Nëna ime arriti në kohë, përndryshe do të isha më e shëmtuar se sa jam tani. Jam rritur në një lagje të varfër dhe mësova të vlerësoja atë pak gjë që kisha”.
Solidariteti është një vlerë themelore në shtëpinë e Ronaldos, me nënën Dolores që ka qenë shtyllë për të gjithë: “Nëna ime më mësoi të ndaja ato që kishim.
Aftësia për të ndihmuar të tjerët nuk ka asnjë lidhje me atë që kemi. Të gjithë mund të ndihmojmë dikë, pavarësisht nga statusi shoqëror”. Një mësim i saktë i jetës, të cilën Dolores arriti t’u transmetojë fëmijëve të saj në mes të një mijë e një vështirësive. Alkoolizmi i bashkëshortit të saj, varësia nga droga e Hugo (vëllai i CR7), kanceri i gjirit. Deri te hemoragjia cerebrale, që pësoi në mars Dhe mbase kjo është edhe arsyeja pse familja sillet rreth saj, gjithmonë e pranishme në çdo vendim të rëndësishëm.