Mesfushori i Manchester Unitedit, Nemanja Matic, i ka dalë në mbrojtje bashkëkombësit të tij serb dhe tenistit numër një të botës, Novak Djokovicit, pasi ky i fundit është përballur me kritika të shumta për një turne që e kishte organizuar.
Novak Djokovic së fundi e konfirmoi se ai është infektuar me koronavirus, pasi kishte ndihmuar në organizimin e një turneu të ndeshjeve të tenisit, Adria Tour, në Serbi dhe Kroaci, pas anulimit të garave nga Shoqata e Tenisit ATP.
Adria Tour, që u zhvillua para tifozëve të pranishëm nëpër stadiume, nuk i respektoi këshillat për distancim social dhe tenistët dhe të ftuarit ishin fotografuar i incizuar duke festuar së bashku natën.
Djokovic dhe bashkëshortja e tij Jelena kanë dalë pozitivë për Covid-19, bashkë me disa lojtarë e trajnerë të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë turne. Mirëpo, 33-vjeçari ka kërkuar falje dhe Matic beson se kritikat drejt tij kanë qenë të padrejta.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë që situata në Serbi është ndryshe. Vendi i ka lejuar të gjithë të bëjnë çfarëdo që të dojnë, gjithçka është hapur – edhe restorantet dhe qendrat tregtare”, ka thënë Matic.
“Kështu që ata kanë filluar të jetojnë normalisht sërish sepse vendi ynë ishte i mbyllur plotësisht për tre muaj. Nuk lejoheshe të dilje për të ecur në rrugë, nuk mund të dilje nga shtëpia. Ishte ndryshe nga Anglia”.
“Por, kur ata e rihapën vendin, ata thanë: “Jeni të lirë të bëni çfarëdo që të doni”. Para atij turneu ishte zhvilluar një ndeshje me 20 mijë njerëz, por askush nuk tha asgjë për atë ndeshje”.
“Unë vetëm dua të them se nuk është faji i tij që e organizoi atë turne. Ai vetëm dëshironte t’u ndihmojë lojtarë të luajnë në gara. Nuk shoh të ketë bërë diçka gabim ai”.