Analisti dhe njohësi i zhvillimeve në futbollin kosovar, Ardian Llumnica, ka thënë se kurdisjet apo manipulimet e rezultateve në futbollin kosovar nuk ndodhin vetëm për përfitime financiare apo për baste, mirëpo thotë se klube të caktuara kanë aleanca mes vete.
Përderisa fenomeni i kurdisjeve të ndeshjeve është i shprehur edhe në ligat botërore, më së shpeshti shkaku i përfitimeve financiare dhe basteve të ndryshme, për këtë fenomen janë hedhur shpeshherë dyshime edhe në Kosovë.
Dyshime të tilla u vunë në shprehje edhe për ndeshjet e fundit, pasi që për ndeshjen mes Llapit dhe Drenicës – të cilën drenicasit e fituan me rezultat 2:0 në Podujevë – u hodhën dyshime se ishte e kurdisur.
Përderisa dënimet për këto dyshime kanë munguar nga institucionet shtetërore, në media janë publikuar video e kanë dalë deklarime publike të personave për këtë dukuri.
Por, Llumnica beson se gjëra të tilla në Kosovë nuk ndodhin thjesht për përfitime financiare apo për baste, por thotë se klubet kosovare kanë lidhur aleanca mes vete.
“Ne kemi aleanca që klubet i përdorin. Por, ato aleanca, siç e dimë ne praktikisht, në 99% të rasteve të tyre nuk janë kurdisje apo nuk luhen për baste apo për përfitime”, ka thënë Llumnica në emisionin “Favorit”.
“Ne kemi vullnet të klubeve që X klubi ka simpati, aleanca ndaj Y klubit dhe qasjen ndaj tij e ka ndryshe. Ky fenomen është i shfaqur te ne, a është kurdisje edhe kjo?”, u shpreh Llumnica.
Ndërsa, prokurori Besim Kelmendi ka reaguar duke potencuar se aleancat e tilla nënkuptojnë “kurdisje”. “Çdo marrëveshje gojore apo e shkruar në këso situata janë të ndaluara”, tha Kelmendi në “Favorit”.