Një javë më parë, në dokumentarin Top Story në Top Channel u prezantuan me dokumente dhe pamje filmike krerët më të lartë të Policisë kufitare të përfshirë në një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të arabëve dhe shtetasve të tjerë të Ligës Arabe.
Pa kaluar as 24 orë nga transmetimi i emisionit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme një strukturë direkte varësie e ministrit Lleshaj bëri të mundur arrestimin e zyrtarëve Enkeleda Toska, Altin Hasani, Besnik Zela dhe Albana Metko.
Por, krejt ndryshe me arrestimin veproi Prokuroria, e cila për çudinë e të gjithëve në vlerësimin e masës së sigurimit personal kërkoi vetëm pezullimin e ushtrimit të funksioneve publike.
Mesditën e kësaj të marte, Lleshaj i është rikthyer sërish kësaj çështjeje, teksa tha se “ditët e fundit është goditur një rrjet trafikimi emigrantësh të paligjshëm, rrjet i cili përfshinte në vetvete për fat të keq edhe punonjës të Policisë së Shtetit, madje drejtues të lartë të saj.
Dua të theksoj që në krye të herës që lufta e Policisë së Shtetit për të goditur rastet e inkriminimit të radhëve të saj, dhe për forcimin e integritetit të gjithë punonjësve, mbetet prioritet i dorës së parë. Integriteti është formula e vetme që do të na çojë te suksesi dhe plotësimi i misionit të Policisë së Shtetit.
Dua të them që emigracioni kohët e fundit ka njohur rritje ashtu si në gjithë Europën. Po bëhen vite që ka tendenca migratore, dhe fatkeqësisht të gjithë flukset migratore përfundojnë dhe shndërrohen në viktima trafikimi për arsye se rrjetet kriminale, të cilët përgjojnë flukset e trafikut, i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për t’i kthyer emigrantët në një pré për veprimtaritë kriminale.
Ne po shohim që kjo veprimtari ka një përmasë, e cila meriton vëmendje të madhe nga të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë ata të kufirit, emigracionit, shtetësisë, qendrës së azilkërkimit dhe strukturave të tjera, që kanë përgjegjësi për ta kontrolluar, për ta menaxhuar, për ta frenuar këtë migracion të paligjshëm, por përpara së gjithash kanë përgjegjësi për të goditur veprimtaritë kriminale që lidhen me të dhe kryesisht trafikun.
Por, Lleshaj nuk e la me kaq deklaratën e tij, teksa sqaroi se për të hetuar policët e implikuar në krime, duhet të veprojë edhe Policia Kriminale, një shigjetim për ato struktura që kanë qenë në plogështi sidomos gjatë kohës së pandemisë përsa i përket luftës ndaj krimit.
“Këtu mbetet detyrë e madhe që të gjitha strukturat, por veçanërisht ato të kufirit dhe migracionit, si edhe Policia Kriminale, Policia e Rendit dhe strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme, të rrisin bashkëpunimin me njëri tjetrin, të forcojnë kontrollet dhe të forcojnë punën operative për të goditur atje ku është e nevojshme për të goditur, duke filluar në radhë të parë çdo tendencë inkriminimi brenda strukturave dhe pastaj për të goditur në terren të gjitha rrjetet, të cilat janë aktive në këtë fushë.
Rasti i goditjes para disa ditëve nga Prokuroria dhe SHÇBA brenda strukturës së Migracionit dhe Kufirit të Policisë së Tiranës, është një sinjal, i cili duhet vlerësuar nga të gjithë, për të parë me shumë kujdes nivelin e angazhimit, integritetin dhe përgjegjësinë për ushtrimin e detyrës nga të gjithë ata që kanë përgjegjësi të kësaj natyre. Ne nuk mund të lejojmë që në radhët e Policisë të vegjetojnë punonjës, të çfarëdo niveli hierarkik, të cilët nuk i bëjnë nder uniformës që mbajnë – deklaroi Lleshaj.
Pavarësisht deklaratës, Lleshaj harroi të kujtojë se ata u arrestuan, por Prokuroria i liroi, edhe pse provat ishin të pakundërshtueshme me dokumente dhe pamje filmike.
Policia ka marrë masa për kontrollin e të gjithë territorit nga veprimtari që lidhen me migracionin e paligjshëm dhe veprimtaritë kriminale që lidhen me këtë migracion, për arsye se jeni dëshmitarë të shtimit të numrit të qytetarëve të huaj, emigrantëve, të cilët i sheh jo rrallë dhe lirshëm në rrugët e vendit, të pakontrolluar, të paadresuar.
Ky kontingjent personash, nganjëherë në nevojë e nganjëherë jo në nevojë, duhet të adresohet dhe të merren masat përkatëse ligjore që në vijën e parë të kufirit në mënyrë që ky fluks i paligjshëm mos të depërtojë në vendin tonë.
Ata duhet të mbeten atje ku janë dhe vetëm zbatimi rigoroz i kritereve ligjore për trajtimin e atyre, që vërtet kanë nevojë, duhet të gjejë hapësirë këtu dhe përndryshe asnjë mundësi tjetër lëvizjeje, qarkullimi, depërtimi në territor të personave që nuk kanë tagër ligjor, persona që vijnë nga vende pas asnjë lloj konflikti, persona që vijnë nga vende të sigurta, të konsideruara të tilla nga Qeveria Shqiptare, nuk mund të shndërrohen në karburant për të mbajtur gjallë një instrument trafikimi, i cili sjell pasoja të tjera të mëdha në drejtim të sigurisë se vendit dhe shumë aspekte të tjera.
Burimi: top-channel.tv