Drita nga Gjilani është në festë! Skuadra e Dritës është kampion i ri i Kosovës, titulli i tretë në histori të këtij kolektivi. Drita siguroi titullin një javë para përmbylljes së edicionit të sivjetshëm në elitën e futbollit të Kosovës.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, është i lumtur që arritën një sukses të madh, titullin e kampionit dhe në kohë të pandemisë po ashtu e kanë siguruar edhe biletën për në garat kualifikuese të Champions League!
“Titulli i 3-të në histori, e i dyti për mua me fanellën e Dritës, padyshim një sukses që shumë kush e ka pritur, ashtu siç e kemi pritur ne futbollistët dhe stafi. Ka qenë kampionat shumë i vështirë sepse konkurrenca ka qenë e jashtëzakonshme. Pra, vetëm dy xhiro para përfundimit e kemi fituar titullin!”, tha Limani për gazetën Kombëtare “Bota sot”.
Kapiteni i Dritës, titullin ia dedikon tifozëve “Intelektualëve”, të cilët i dhanë zemër skuadrës në çdo sfidë.
“Titulli i dedikohet posaçërisht ‘Intelektualëve’, sepse ata në forma të ndryshme kanë tentuar që edhe në kohë pandemie të na përkrahin, ani pse kushtet ishin minimale. Ata kanë qenë frymëzimi ynë më i madh!”, tha më tej Limani. Pas humbjes me rezultat 2:0 nga rivali i përbetuar Gjilani, a keni besuar se do ta fitoni titullin?
“Ne kemi besuar vazhdimisht. E dinim se jemi në pozitë më të mirë se kundërshtarët tanë dhe në fund ia dolëm!”, thotë kapiteni Limani.