Klubi i futbollit Trepça dikur ka qenë krenaria e shqiptarëve në Ish-jugosllavi. Zigjelbrit nga Mitrovica në vitin 1977 ishin plasuar në elitën e futbollit ish-jugosllav, duke arritur atëherë suksesin më të madh në historinë e futbollit të Kosovës, shkruan gazetari Reshat Ibrahimi.
Në këtë mënyrë ata kishin realizuar ëndrrat e mijëra shqiptarëve që të shohin një klub shqiptar në ligë të parë.
Në ndeshjen e fundit Trepca luante me Radin e Beogradit, ndaj të cilëve shënuan fitore me rezultat 2:0. Dhe, në atë ndeshje të paharrueshme mitrovicasit kishin mbështetjen e madhe të tifozëve shqiptarë anembanë ish-shtetit jugosllav, mes tyre edhe nga Shkupi.
Në këtë fotografi shihen disa trima me transparent në duar ku shkruan: Kampion Trepça. Simpatizuesit nga Shkupi.
A thua kush janë këta burra që dikur festonin me Trepçën titullin kampion në ligën e dytë dhe kualifikimin në ligën e parë?
Nëse dikush i njeh ose ata e lexojnë këtë shkrim do të ishte mirë të na shkruajnë dhe t’i takojmë.