Një grua e moshuar në Australi është dhunuar seksualisht në shtëpinë e saj nga personi i cili duhej të kujdesej për burrin e saj. Raportohet se dhunuesi, para se ta bënte veprën e shëmtuar, e kishte nxjerrë nga dhoma burrin e viktimës, i cili është person me nevoja të veçanta dhe lëviz me karrocë.
Personi i dyshuar, Simon Prodanovich, kishte filluar të punonte si kujdestar për persona të moshuar para pak më shumë se një viti para se ta dhunonte plakën me shëndet të dobësuar.
Burri 59 vjeç nga qyteti Springvale e kishte për detyrë që të kujdesej për burrin e viktimës, i cili vuan nga disa vështirësi të shëndetit dhe lëviz me karrocë.
Çifti i personave të moshuar nuk kishin dëshiruar që të sjellin kujdestar në shtëpi, por ia plotësuan dëshirën vajzës së tyre, e cila nuk donte që t’i dërgonte ata në ndonjë qendër të pleqve.
Plaka kishte kërkuar nga kujdestari i burrit të saj që t’ia japë ilaçet, por sulmuesi i kishte thënë që t’i harrojë ilaçet, sepse një masazh do t’i bënte mirë.
Ai më pas e dërgoi në një dhomë tjetër burrin e paralizuar të viktimës dhe filloi ta dhunonte gruan e moshuar, ndonëse ajo i kishte kërkuar që të ndalej.
Dhunuesi kishte ikur nga shtëpia ku e kishte kryer veprën e turpshme, por më vonë u arrestua nga policia. Ai nuk e pranoi fajin dhe tha se deklarata e plakës është e shpikur dhe plotësisht e pavërtetë.
Megjithatë, analizat e ADN-së më vonë dëshmuan se ai e kishte kryer këtë vepër dhe burri e pranoi fajin.
Ai pritet të shpallet fajtor të enjten dhe mund të dënohet maksimalisht me 25 vjet burgim, shkruan “Daily Mail”.