Qeveria e Kolumbisë e ka publikuar planin për mbyllje të kufijve me shtetet e tjera. Ky plan është pjesë e një vargu masash kundër protestave dhe grevave masive që janë planifikuar për këtë javë.
Dhjetëra mijëra persona pritet të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për të enjten kundër qeverisë djathtiste të Ivan Duque-s, popullariteti i të cilit është lëkundur vazhdimisht që nga ardhja në pushtet në gusht të këtij viti.
Këto protesta janë pjesë e një krize politike që i ka përfshirë edhe shtetet e tjera të Amerikës Jugore. Protestat kundër qeverisë në Kili kanë zgjatur më shumë se një muaj. Bolivia ende po i vuan pasojat e rrëzimit të presidentit Evo Morales. Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, u detyrua ta tërheqë vendimin për masa shtrënguese, ndërsa Venezuela ende është e zhytur në kolaps ekonomik dhe dhunë politike.
Qeveria kolumbiane të hënën i futi në fuqi disa masa për kontrollimin e pakënaqësisë së qytetarëve, përfshirë vendosjen e orës policore dhe ndalimin e shitjes së alkoolit. Për më tepër, kufijtë e vendit do të jenë të mbyllur deri të premten në mëngjes.
Të martën, policia i bastisi 27 shtëpi të njerëzve të dyshuar për organizimin e protestave kundër qeverisë.
Këto protesta kanë nisur për disa arsye, përfshirë procesin e ngadalshëm të paqes me rebelët dhe vrasjet e liderëve indogjenë dhe aktivistëve lokalë, shkruan “The Guardian”.