Kryeministri Edi Rama duket i vendosur për realizimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën zgjedhore pavarësisht se ka deklaruar për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit.
Kryetari i partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka e ka kritikuar qëndrimin e mazhorancës për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore duke e cilësuar si një tentativë për vendosjen e një sistemi monopartiak.
Në një intervistë për Ora News ai i ka shprehur “besnikërinë” koalicionit të opozitës së bashkuar duke deklaruar se do të hyjë në zgjedhje vetëm me ta.
Duka: Nëse këto ndryshime kushtetuese kalojnë me votën e mazhorancës dhe të opozitës parlamentare do të thotë që ata i vendosin rregullat e lojës vetë, hyjnë në zgjedhje vetë. PD dhe opozita mund të kenë bërë veprime të diskutueshme si djegia e mandateve, në këtë rast ka të gjithë të drejtën për të mos hyrë më në zgjedhje. Ne sapo filluam të mësoheshim me këto rregulla loje që u dakordësuan. Filluam takimet në strukturat bashkë që të konuronim në ato kolegjime që bëm kodin zgjedhor. Ne duhet ta marrim vesh se si do të shkojë kjo punë. Ato do të shkojmë me lista gjysmë të hapura. Ky është një mashtrim që ju bëhet atyre që kërkojnë gjatë gjithë kohës listat e hapura.
Unë nuk mendoj se do kalojë kjo. Nëse kalon natyrisht unë do i nënshtrohem vendimit të opozitës së bashkuar. Të garojmë të vetëm do të thotë të legjitimojmë të gjithë maskarallëqet që bën Rama. Deri në këto momente ne themi që këto janë padrejtësi e ne të shkojmë e të futemi në zgjedhje nëse opozita e bashkuar jo? Nuk mund ta bëjmë. Unë kam shumë dëshirë që të udhëheq listat e partisë Agrare me të gjitha mënyrat dhe maskarallëqet që mund të bëjnë këta kundër partive të vogla. Opozita e bashkuar duhet të luftojë me të gjitha mënyrat demokratike. Çfarë do të zgjedhin ata, do të jem dhe unë. Nëse ata nuk hyjnë në zgjedhje atëherë as unë. Nuk mund të dal i vetëm për të luftuar thjesht për të plotësuar vendin në Parlament.
E parë në syrin pragmatis, ne ndjehemi fitues përballë mazhorancës elektorale dhe e dyta është e padrejtë t’i mohosh të drejtën partive politike. Përveç llogaritjes së votave, unë mendoj që është një e drejtë legjitime që partitë të garojnë edhe të bashkuar. Nuk ka pse ta heqësh me të ligj këtë. Edhe nëse bën lista të hapura, atëherë mund të garojnë brenda një liste. Mazhoranca mund të bëjë çfarë të dëshiroj nëse mendojnë që të instalojnë një regjim monopartiak siç ka qenë. Nëse populli shqiptar do të jetë kaq pasiv, nëse ndërkombëtarët nuk do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim që kanë pasur për reformën në drejtësi. Ishin ata që i ulën mazhorancën dhe opozitën.