Evidentohen dhe goditen 2 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia e Fierit ka vënë në pranga tre vëllezërit nga Mallakastra që kishin mbjellë kanabis në një zonë të pyllëzuar, si edhe një 60-vjeçar në Roskovec, i cili kishte mbjellë lëndën narkotike në tokën e tij.
NJOFTIMI I PLOTË
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrollit masiv të territorit, shërbimet e Policisë kanë goditur dy raste të tentativës për kultivim të kanabisit, konkretisht në fshatin Rromës, Mallakastër dhe në fshatin Vloshë, Roskovec.
Në Mallakastër, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Rromës, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike. Si rezultat i veprimeve operacionale dhe hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u bë ndalimi i autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasve: S. L., 29 vjeç, B. L., 30 vjeç dhe A. L., 38 vjeç, të tre banues në fshatin Rromës.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Vloshë, Roskovec, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike canabis sativa në tokën e shtetasit B. H., 60 vjeç. Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.