Ish-sulmuesi i Real Madridit është arrestuar dhe marrë në pyetje nga policia në lidhje me rolin e tij në një operacion kontrabande të kokainës. Edwin Congo ishte mes 18 personave të arrestuar, pasi Policia Kombëtare e Spanjës kapi një ton kokainë, që po kontrabandohej midis shtresave të kutive me fruta. “18 njerëz janë arrestuar dhe një ton kokainë e fshehur në kutitë e kartonit me fruta të sekuestruara është kapur, falë një makro-operacioni ndërkombëtar, të udhëhequr nga Policia Kombëtare”, – lexohet në një njoftim publik.
43-vjeçari u mor në pyetje nga policia në Madrid dhe më pas u la i lirë. Ish-sulmuesi mbërriti në Spanjë më 1999, kur u bashkua me Real Madridin për 5 milionë euro, gjë që e bëri atë transferimin më të shtrenjtë kolumbian në histori, për atë kohë. Sidoqoftë, Congo nuk arriti të imponohej në “Bernabeu” dhe kurrë nuk luajti një ndeshje zyrtare me të bardhët, duke kaluar kohë në huazim te Real Valladolid, Vitoria Guimaraes (Portugali) dhe Toulouse (Francë), shkruan telesporti.
Në vitin 2002, Congo u bashkua me Levante, ku kaloi katër sezone, para transferimeve të mëpasme te Sporting Gijon dhe Recreativo de Huelva. Ndërkombëtarisht, Congo ka luajtur 17 ndeshje me Kolumbinë, si pjesë e “Copa America” më 1999 dhe 2004. Duke folur për programin televiziv spanjoll “El Chiringuito”, ku u shfaq të martën në mbrëmje, ai pretendoi pafajësi: “Unë jam i qetë, edhe pse nuk është një situatë e rehatshme. Policia më bëri një seri pyetjesh dhe pastaj u ktheva në shtëpi. Ata më treguan foto të njerëzve, me të cilët kisha pasur kontakte.
Policia më tha se duhet të qëndroja larg njerëzve, që nuk janë të mirë për mua. Unë duhet t’i bëj gjërat në një mënyrë tjetër. Ata më pyetën nëse isha i lidhur me trafikun e kokainës. Unë nuk kam asnjë lidhje me të. Po, bëj biznes me një nga njerëzit në foto, por merremi me smerald. Jam i qetë, sepse nuk merrem me kokainë. Unë jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje me shitjen, prodhimin ose çfarëdo që ka të bëjë me kokainën”.