Me shume se 50 nxenes të shkollës së mesme të bashkuar “Adem Haxhija” në njësinë Postribë në Shkodër janë helmuar nga ushqimi, duke përfunduar në spital.
Burimet thanë se deri mbrëmjen e djeshme 50 nxënës me simptoma helmimi kanë shkuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë të shtruar. Numri ka ardhur duke u shtuar dy ditët e fundit, pasi fillimisht bëhej fjalë për 26 të helmuar.
Spitali e konfirmoi përmes një deklarate për shtyp. “Spitali Rajonal Shkodër bën me dije se lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku janë paraqitur në urgjencë 26 nxënës nga shkolla e mesme e bashkuar Postribë me simptoma të tilla si të vjella, temperaturë, marrje mendsh. Të gjithë nxënësit kanë marrë trajtimin e menjëhershëm mjekësor në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Në total janë paraqitur 26 raste, nga ku 16 raste janë trajtuar në repartin infektiv dhe 10 raste janë trajtuar në repartin e pediatrisë. Aktualisht, 7 persona po marrin akoma shërbim në spital, 5 persona te reparti i infektivit dhe 2 në pediatri, pjesa tjetër kanë lënë spitalin. Pacientët janë nën monitorimin e vazhdueshëm të mjekëve, duke ndjekur mjekimet e rekomanduara”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Helmimin e nxënësve e konfirmoi nga mjeku i urgjencës, Astrit Lahi, nga ku u paraqitën fillimisht këto raste.
“Në urgjencën e spitalit kanë mbërritur në orare të ndryshme persona të moshave të ndryshme, kryesisht të rinj, të cilët, pas ekzaminimeve të para, rezultojnë të intoksikuar. Që të gjithë janë nga e njëjta zonë, nga Postribë. Ne menjëherë u kemi shërbyer duke u dhënë mjekimin e duhur, disa janë shtruar te reparti infektiv dhe më të vegjlit te pediatria. Disa të tjerë kanë ardhur, kanë marrë mjekim dhe janë larguar. Unë di të them që janë të intoksikuar, ndërsa është ende herët për të folur për shkaqe të tjera sepse ka edhe institucione të ndryshme që po merren me këtë çështje. Gjendja e të helmuarve nuk është e rëndë apo problematike dhe po marrin mjekimin e duhur. Raste të helmimit kemi shpesh në spital dhe kryesisht janë nga pasiguria në ushqime, por edhe mungesa e higjienës”, shprehet mjeku Lahi.
Një reagim ka bërë edhe Policia Vendore e Shkodrës, përmes një deklarate për shtyp duke bërë të ditur se pronarët e një fast foodi aty afër shkollës ku mendohet se nxënësit kanë konsumuar ushqime, janë shoqëruar në Polici, ndërsa edhe një sërë institucionesh kanë nisur hetimet.
Nxënësit e shkollës tregojnë se kanë gjetur copa qelqi në ushqime, ndërsa edhe prindërit janë të shqetësuar.
“Shkova një ditë për të blerë bukë me qoftë dhe brenda më qëlloi një copë qelqi. Shkova për t’ia kthye,r por shitësi më tha se nuk është qelq. Dy shokë të mi që i njoh dhe i kam në shkollë janë helmuar dhe kanë shkuar në spital”, shprehet një nxënës i shkollës “Adem Haxhija” në Postribë.
Dhurata Hysa e Shëndetit Publik në Shkodër ishte e pranishme në shkollën “Adem Haxhija” për të informuar më shumë mbi situatën, ndërsa në dalje u përball me një debat nga një prind, i cili deklaroi se shpeshherë fëmijët kanë dhimbje barku dhe dyshojnë se e gjitha kjo vjen nga ushqimet e pasigurta.
DREJTORESHA E SHKOLLËS
Drejtoresha e shkollës së mesme “Adem Haxhija”, Edlira Alija, thotë se ajo ende nuk ka informacion se nxënësit janë helmuar, ndërsa këtë që ka ndodhur ua lë çuditërisht virozave të stinës.
“Ende nuk kam informacion se nxënësit janë helmuar. Kjo mund të jetë edhe si shkak i virozave të stinës. Ne kemi pasur disa nxënës që nuk kanë ardhur në shkollë këto ditë dhe kemi folur me prindërit dhe na kanë thënë se janë të prekur nga virozat e stinës. Shkolla ka 600 nxënës dhe situata në përgjithësi është nën kontroll dhe nuk ka vend për alarm”, deklaroi drejtoresha e shkollës.
Tashmë, një sërë institucionesh po hetojnë lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Siguria ushqimore, higjiena, por edhe problematika të tjera bashkë me helmimin janë pjesë e këtij hetimi.