Situata në kufirin grek në doganën e Kapshticës nuk ka ndryshuar. Të vetmit persona që lejohen të kalojnë janë punëtorët sezonalë shqiptarë, të cilët posedojnë një konfirmim nga pala greke.
Të shumtë janë shtetasit shqiptarë të cilët nuk lejohen të kalojnë kufirin; njësoj si kjo zonjë e cila ka bashkëshortin e saj të sëmurë në Selanik dhe duhet të gjendet pranë tij për t’u kujdesur për të. Por sipas drejtuesve të kufirit, kjo arsye nuk mjafton.
Ka edhe nga ata të cilët dua të shkojnë për punë, por nuk lejohen për shkak të mungesës së dokumentacionit.
Kufiri është mbyllur edhe për shtetasit evropianë që duan të kalojnë nga Shqipëria.
“Jam nga Italia, dua të shkoj në Lecce, por nuk me lejojnë të kaloj. Nuk di çfarë të bëj tani”, thotë një turist italian.
“Vij nga Franca, Parisi dhe po udhëtoj drejt Turqisë por nëpërmjet Greqisë nuk është e mundur, nuk e di pse”, shprehet një francez.
Supozohet që kufiri tokësor me Greqinë të rihapet në datën 15 Korrik, deri atëherë e vetmja mënyrë për të udhëtuar drejt Greqisë është linja ajrore.