Është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci i cili është marrë i pandehur nga SPAK, i akuzuar për falsifikim dokumentesh.
I shoqëruar nga avokatët e tij, Dacit i është komunikuar akuza mesditën e sotme, pasi akuzohet se ka fshehur shkarkimin nga puna për paaftësi.
Avokatët e tij në dalje të prokurorisë deklaruan se Daci, nuk ka arsye që të japë dorëheqjen.
“Nuk është se kishte ndonjë provë të re. I takon gjykatës të vendosë mbi debatin që ne kemi. I qëndrojmë të njëjtit pretendim, që nuk kemi të bëjmë me vepër penale. Ka një vendim të Gjykatës së Apelit që i ka paraprirë situatës për pezullimin e tij nga detyra. Është vendim i formës së prerë, i cili vërteton se s’ka vepër penale. KPA dhe askush tjetër nuk mund të dalë përtej këtij vendimi. Në këto kushte, përderisa ka një ndalim për të proceduar përtej, sepse ka një vendim të formës së prerë që thotë se nuk ka vepër penale. Ata nuk mund të marrin atributet e Gjykatës Penale”, u shprehën avokatët Jordan Daci dhe Andi Duraj.
Marrja e tij si të pandehur vjen pasi SPAK, ka regjistruar procedimin penal Nr.56, viti 2020 për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar se Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 3 shkurt 2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore “largim nga puna”.
Shtetasi Luan Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, me vendimin Nr.6, datë 24.12.1997, në nenin 1 të tij, ka vendosur: “Z.Luan Daci, largohet nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”.