Ka përfunduar takimi në mes të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ministres së detyrë të MKRS-së Vlora Dumoshit, kryetarit të KOK-ut dhe krerëve të FFK-së, ku është diskutuar për aktivitetet sportive në Kosovë.
Arben Vitia ka thirrur në një takim përfaqësuesit e institucioneve më të mëdha sportivë në vend, atje ku nuk është marrur asnjë vendim, por kanë mbetur që palët të diskutojnë përsëri, përcjell një burim i medias menjëherë pas takimit.
Ky burim u konfirmua nga komunikata e publikuar nga FFK-ja.
Në këtë komunikatë thuhet se ka gatishmëri për takime tjera në drejtim të një marrëveshje për vazhdimin e garave.
“Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, janë takuar sonte në mbrëmje me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia. Në takim ishin të pranishëm edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, drejtori i DSK-së, Ibër Alaj dhe stafi i mjekëve të Kombëtares së Kosovës. Gjatë këtij takimi konsultativ u bisedua për fazat transitive të hapjes së aktiviteteve sportive, me theks të veçantë të rikthimit të futbollit. Në këtë takim u diskutua rëndësia e mbrojtjes së shëndetit publik, sikundërse u tha se edhe vetë sporti, ndër të tjera, në thelb ka vitalitetin e shëndetit trupor.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi shprehu nevojën që futbolli të kthehet sa më parë, duke pasur parasysh afatet që i ka paraqitur UEFA për federatat e saj anëtare për mbylljen e këtij edicioni garues, normalisht nëse për këtë siç tha ekzistojnë mundësitë dhe duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe duke i respektuar rekomandimet nga institucionet shëndetësore për masat mbrojtëse në stadiume. Me këtë rast, presidenti Ademi para ministrit Vitia paraqiti masat që ka paraparë FFK-ja për stërvitjet dhe ndeshjet e futbollit, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithë pjesëmarrësve. Ndërsa, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia pasi i falënderoi për bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe të pandemisë, i siguroi drejtuesit e FFK-së dhe të sportit se nga ana e institucioneve po ndërmerren të gjitha veprimet e duhura që gradualisht të rifillojnë edhe aktivitetet sportive, konform rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Të gjitha palët u pajtuan që në ditët në vazhdim të mbahen edhe takime tjera, në mënyrë që sa më parë të merret vendimi për datën se kur futbollistët do të mund t’i rikthehen stërvitjeve e më pas edhe ndeshjeve të kampionatit. Në fund të takimit, presidenti Ademi në shenjë respekti për punën e madhe që ka bërë Ministria e Shëndetësisë gjatë kësaj periudhe të vështirë të pandemisë ia ndau këtij institucioni një fanellë të Kombëtares së Kosovës.”