Rovena Daja, epidemiologe e Institutit të Shëndetit Publik ka qenë në një lidhje direkte me emisionin e mëngjesit “Ditë e Re”, ku ka folur më shumë për situatën e koronavirusit në Shqipëri.
Ajo është shprehur se është normale që QSUT të kthehet në një vatër koronavirusi sepse aty ndodhen pacientët e sëmurë dhe janë afër njëri-tjeterit. Infektimi i stafit mjekësor ka ndodhur në çdo spital të botës dhe jo vetëm në Shqipëri.
Ajo përmendi edhe doktorin Arjan Pushi i cili ka ndërruar jetë dje si pasojë e koronavirusit dhe shprehet se rasti i tij duhet të na vejë në alarm të gjithëve.
Rovena Daja: QSUT ka qenë një vatër e koronavirusit, por kohët e fundit nuk kemi raste pozitive nga stafi mjekësr. Normalisht që do të kishim raste sepse është vendi ku janë të gjithë të sëmurët, pacientët dhe normalisht nuk është faji i stafit mjekësor sepse mund të bëhen gabime në veshje, zhveshje dhe procedurave që duhet të zbatohen. Stafi mjekësor është infektuar edhe në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri.
Fatkeqësisht kemi pasur edhe një rast vdekje nga stafi mjekësor e cila ka qenë një humbje shumë e madhe për ne. Shpresojmë që në të ardhmen të mos kemi staf pozitiv dhe mos kemi më humbje jete.
Arjola Shehu: Doktori Arjan Pushi ka qenë ai që ka humbur luftën me Covid-19, mesa na kanë thënë nuk ka pasur asnjë sëmundje bashkëshoqëruese. A është ky një rast alarm ku njerëzit duhet të fillojnë të shqetësohen?
Rovena Daja: Unë mendoj se në këtë rast, qytetarët duhet të fillojnë të kuptojnë që virusi ekziston, që duhet të ruhen, që askush nuk është i mbrojtur, qoftë mjek, politikan, deputet apo çfarëdo. Duhet të evitojnë të gjitha grumbullimet, ceremonitë pavarësisht arsyes. Ky rast duhet të na vërë në alarm të gjithëve, se shumica e njerëzve akoma më pyesin nëse virusi ekziston. Ky virus ekziston dhe mund të prekë këdo dhe mund të humbë jetën kushdo.