Ekskluzive/ Greqia: Të rikthejmë marrëveshjen që bëmë në 2009 – Lajmi i Fundit – Lajme

0
Gjigandi

 

Qeveria e re greke do synojë t’i bëjë presion Shqipërisë me bllokimin e integrimit në Bashkimin Europian me qëllim që të rikthejë Marrëveshjen e Detit të 2009 të firmosur nga Sali Berisha e Lulzim Basha.
Këtë plan e ka zbuluar ish-ministrja e Jashtme e Greqisë e asaj periudhe Dora Bakojanis, motra e kryeministrit grek, Qiriako Micotaqis, aktualisht deputete dhe një nga drejtueset e partisë në pushtet Demokracia e Re, gjatë një diskutimi të saj në parlamentin grek.
“Marrëdhëniet me Shqipërinë janë në një situatë e cila ka shkuar drejt përkeqësimit në vitet e fundit. Nuk mund të krahasohen fare marrëdhëniet që kemi tani me Shqipërinë me ato që kishin ne më parë, në kohën kur firmosëm Paktin në periudhën e Qeverisë të Kosta Karamanlis”, ka thënë fillimisht Bakojanis për të zbuluar më pas se çfarë synon qeveria e re greke.
“Mendimi im është që ajo marrëveshje nuk duhet braktisur. Më së shumti u braktis nga qeveria e mëparshme në një përpjekje të kërkimit të një marrëveshje të re. Megjithatë ne duhet që bazën e asaj marrëveshje ta ruajmë, sidomos tani që shqiptarët kanë kërkesa nga qeveria e Greqisë. Meqenëse shanset nuk shfaqen dendur në politikën e jashtme, tani që na e kanë nevojën, fjalët e qarta do të sjellin edhe rezultate të qarta”.
Marrëveshja e 2009 me Greqinë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në prill 2010 si antikushtetuese. Kjo marrëveshje u hartua në kohën e qeverisë së partisë Demokratike dhe u firmos nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha dhe nga kreu aktual i demokratëve Lulzim Basha që ishte ministër i Jashtëm.
Në këtë marrëveshje Shqipëria i dhuronte Greqisë një pjesë të hapësirës së saj detare, e cila ka rezultuar e pasur me gaz e naftë. Kujtojmë që pak ditë më parë, Kryeministri Micotaqis, deklaroi se respektimi i minoritetit grek është kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por mesa duket oreksi i Greqisë është zmadhuar. K.B

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu