Edi Rama për mediat italiane: Për herë të parë një finale europiane në Shqipëri, do të mbështes R…

0
Gjigandi

Kryeministri shqiptar Edi Rama foli për “Tuttosport” mbi finalen e parë europiane, që do të luhet në Shqipëri, të mërkurën e ardhshme. Fjala është për Roma-Feynoord, finalja e “Conference League”: “Kemi një nga objektet sportive më të bukura në Evropë dhe për ne do të jetë një Super Bowl i vogël”.

Kreu i ekzekutivit shqiptar i përgjigjet edhe pyetjes: A jeni i shqetësuar për tifozët e shumtë? “Jo i shqetësuar, por do të jetë një risi absolute për ne. Për sa i përket mikpritjes, ne jemi një vend që mund të luftojmë për Champions League”. Njëri nga dy finalistët është ekip italian, Roma: “Jam shumë i lumtur, që në fëmijëri kam bërë tifo për italianët në sport, më pas Roma u bë e veçantë prej José Mourinhos”.

Pak ditë më parë, “Corriere dello Sport” ndalej tek animi i kryeministrit shqiptar si tifoz i futbollit italian: “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama është gati të mirëpresë tifozët e Feyenoord dhe Romës në Tiranë për finalen e Ligës së Konferencës, por nuk do të jetë i paanshëm.

Madje, ai tashmë përmes Instagramit ka treguar mjaft se është shumë pranë ngjyrave verdhekuqe, fillimisht duke publikuar një shall të Romës brenda stadiumit të kryeqytetit shqiptar dhe më pas duke pritur virtualisht “Mbretin e Romës” Francesco Totti me një foto te tij. Ish-kapiteni i Romës, tashmë e ka konfirmuar praninë e tij në finalen e madhe të kompeticionit europian.

Duket pak ironike kjo, duke qenë se Rama është tifoz i deklaruar me Juventusin dhe madje ka mik të tij të ngushtë drejtuesin e klubit tjetër të kryeqytetit italian, Igli Tare te Lazio. Megjithatë, kryeministri ka dalë hapur pro Mourinhos dhe verdhekuqve.

Gjithashtu ai do të jetë në stadium përkrah presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe atij të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Nuk dihet nëse do të jenë edhe ambasadorët e Italisë dhe Holandës në stadium”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu