E çuditshme, katër serbët i dalin në krah presidentit shqiptar

0
Gjigandi

Jehona e deklaratave të mesfushorit Oumar Turad Kamara ka shkaktuar reagime të forta në Lezhë. Veç presidentit Gjok Noka, i cili akuzohej direkt dhe që i quajti të gjitha mashtrime, kanë reaguar edhe futbollistët serbë që luajnë aktualisht me Besëlidhjen.

Milan Gjorgjeviç, Dimitrie Çokiç, Gjorgje Vukashinoviç dhe Ivan Jovaneviç kanë dhënë për “Panorama Sport” vlerësimin e tyre për kushtet që kanë gjetur në Lezhë.

Gjorgjeviç ka mbi 8 vjet që e njeh Lezhën, pasi luan për herë të tretë me Besëlidhjen, madje një sezon ka jetuar familjarisht në këtë qytet. “Kur lexova deklaratat e Kamarasë, u habita shumë, sepse asnjëra prej tyre nuk qëndron. Kam qëndruar gjatë në Lezhë, që në fillimet e presidentit Gjok Noka në krye të Besëlidhjes.

Në Lezhë ka pasur gjithmonë lojtarë të huaj, serbë, afrikanë, maqedonas, portugezë etj., por të gjithë janë ndierë si në shtëpi. Kam luajtur futboll në Austri, Mal të Zi e Serbi, por e them me sinqeritetin më të madh se në Shqipëri kam gjetur trajtimin më të mirë ushqimor. Në vendet e tjera ka një menu fikse, kurse në Lezhë çfarë të kërkosh të shërbehet, nuk ka kufizime. Bashkëshortja e presidentit na ka shërbyer si mamatë tona.

Sa u përket pagave, i kemi marrë rregullisht, madje na ka dhënë edhe më shumë sesa kemi kontratën, pa përmendur qerasje nga presidenti. Nuk kemi ardhur nga Serbia për një copë bukë, kemi pasur oferta nga shumë skuadra, por kushtet këtu na kanë joshur. Nuk ka fjetur kush as në korridor, as në dhoma zhveshjeje, por në dhomën e tij.

RonaTyra

Më ka ardhur shumë keq për atë deklaratë të gënjeshtërt. Kamara ka rreth një vit që është larguar nga Lezha. Kur kam ardhur në korrik, nuk e kam gjetur këtu. Pastaj, si iu kujtua tani të ankohet për kushtet, kur këtë gjë duhej ta bënte sapo është larguar. Kur ishte këtu, ndoshta mund të justifikohej se kishte frikë. Deklarata e tij është e neveritshme”, thotë Gjogjeviç.

Portieri Gjorgje Vukashinoviç, për këtë çështje shprehet: “Që në janar jam në Lezhë bashkë me sulmuesin Ivan Jovaneviç, duke u bashkuar me Gjorgjeviçin dhe Çokiçin. Milan Gjorgjeviç na bindi të vijmë këtu dhe ato që na ka treguar për kushtet e akomodimit dhe ushqimit, dolën të vërteta. Jam mjaft i kënaqur. Këtu kalova gjithë kohën e karantinës dhe nuk na ka munguar asgjë, jemi më mirë se në shtëpitë tona”.

Serbi tjetër, mesfushori Dimitrie Çokiç, thotë: “Që në korrik banoj në Lezhë dhe jam i kënaqur me të gjitha. Trajtimi që na bëhet më ka lënë mbresa shumë të mira, ku përveç kushteve të banimit, edhe ushqimi është shumë i mirë. Në Lezhë përjetova dy fatkeqësi natyrore, tërmetin dhe pandeminë që ishin shumë të rënda, por nga kujdesi që tregoi presidenti i kaluam pa asnjë pasojë. Për këtë i jam shumë mirënjohës”.

 Sulmuesi Ivan Jovaneviç, serbi i 4-t i Besëlidhjes, pohon: “Në Lezhë më ka bërë përshtypje mikpritja dhe respekti i të gjithëve ndaj meje, pasi deri sa kam ardhur këtu, kam pasur tjetër përshtypje. Gjatë kohës së pandemisë, kur ishim të karantinuar në banesë, gjithçka na është garantuar nga presidenti pa na u cenuar paga fare. Nuk kemi pasur kufizime në menunë e ushqimit, po të duam na jepet edhe 5 herë në ditë ushqim, këtë na e ka thënë presidenti: ‘kërkoni çfarë të doni, mos kini turp’. Mesfushori Milan Gjorgjeviç e njeh shumë mirë gjuhën shqipe dhe na ndihmon”.

Besëlidhja këto ditë është grumbulluar paradite për seancat stërvitore. Deri në rinisje të sezonit, pra deri në ndeshjen ndaj Tiranës për llogari të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, Besëlidhja do të zhvillojë dy miqësore në transfertë. Lezhjanët sot do të luajnë në Durrës ndaj Skënderbeut dhe të mërkurën në Rubik ndaj Mirditës. Kujtojmë se Besëlidhja si objektiv kryesor ka ngjitjen në Superiore, por ka ambicie edhe në Kupë, pasi është ngjitur deri në çerekfinale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu