Shpallen aplikimet për pranimin në akademinë e sigurisë për studentë që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë me mesatare të notave mbi 8, për disa degë të caktuara.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Policia njofton se aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020.
Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Ndërkohë, shkarkimi i formularit të aplikimit mund të bëhet online te adresa e dhënë nga policia e shtetit.
Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkenca juridike, ekonomike dhe kompjuterike.
Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:
– të jenë shtetas shqiptarë;
– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;
– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;
– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:
– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):
– të jenë nën moshën 30 vjeç;
– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;
– të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.