Liderët e BE-së thanë ‘jo’ për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut dhe në të dyja këto vende, zhgënjimi është i madh. Komisioni i BE, parlamenti dhe presidenti i këshillit, Donald Tusk, thanë se të dyja vendet i përmbushën kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit por në samit nuk pati unanimitet. Emmanuel Macron refuzoi prerazi; jo për kandidatët dhe jo për procesin e anëtarësimit në përgjithësi. Holanda dhe Danimarka, u fshehën pas hijes së tij. Sidoqoftë, një nga zërat më kritikë pas vendimit të liderëve, kryeministri italian, Giuseppe Conte, që foli për një gabim historik, thotë se do të propozojë që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, të shqyrtohen sërish në nëntor. Sipas tij, vetoja franceze për mos fillimin e negociatave për Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut do t’i hapë rrugë aktorëve të tjerë që të rrisin ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit. Edhe kryeministri belg, Charles Michel premtoi se nuk do ta lërë temën në harresë duke thënë: Do të shohim se si do ti kthehemi sërish këtij debati. “Jo”-ja e BE-së është kritikuar edhe nga përtej atlantikut, me departamentin amerikan të shtetit që shprehu zhgënjim që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë”. Që nga viti 2003 vendeve të Ballkanit jashtë BE-së u është dhënë perspektiva për në BE. Që nga 2009 Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kriteret formale, e që nga 2018 e njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Pasi Maqedonia e Veriut zgjidhi edhe mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë, Shkupi mendonte, se në këtë samit do të funksiononte. Tani ekspertët mendojnë, se vetoja e Francës e ka zhytur BE-në në një krizë të thellë besimi. Premtimet e dhëna nuk u mbajtën- thotë për DW Bernd Riegert dhe tani, sipas tij, paqja në Ballkan rrezikohet, influenca e Rusisë, Kinës dhe Turqisë mund të rritet e këtë nuk do ta dëshironte as vetë Macron. Ndërsa për Valeska Esch, drejtore e programit për Evropën, pranë institutit aspen në gjermani, Jo-ja e BE nuk nёnkupton fundin e perspektivёs sё anёtarёsimit“ por thjeshtë, me mungesën e aftësisë për një vendim të përbashkët pozitiv, BE ka dëmtuar besueshmërinë e saj në rajon, duke zhgënjyer njerëzit atje.