Çfarë ndodh me tërheqjen e trupave amerikane nga Siria?

0
Gjigandi

Showdown në takimin e NATO-s në Bruksel: Duke pasur parasysh kritikat ndaj anëtarëve të Aleancës, SHBA dhe Turqi, propozimi i ministres gjermane Kramp-Karrenbauer për krijimin e një zone mbrojtjeje tërheq pak vëmendje.

“Kur një nga vendet anëtare të aleancës më bën një propozim se si duhet të ecet përpara, atëherë unë e mirëpres atë.”

Me këtë fjali Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bën të ditur mbështetjen e tij për propozimin e bërë nga Berlini. Nisma e ministres së Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, për të krijuar një zonë ndërkombëtare sigurie në Sirinë Veriore, tha Stoltenberg, është një impuls pozitiv. Më tej ai përshëndeti idenë e Kramp- Karrenbauerit, për të integruar në këtë plan të gjitha palët e përfshira.

Sekretari i Përgjithshëm tha, se pret që në takimin e radhës së ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, ministrja gjermane e Mbrojtjes të ndajë pikëpamjet e saj me kolegët. Ministrja gjermane Annegret Kramp Karrenbauer, merr pjesë për herë të parë në këtë funksion në takimin e aleancës.

Uashingtoni e përshëndet iniciativën

RonaTyra

Në thelb reagim i ngjashëm për propozimin gjerman vjen një ditë para takimit edhe nga ministri i Mbrojtjes së SHBA. Ka kohë që Uashingtoni kritikon mungesën e gatishmërisë së partnerëve të aleancës që të angazhohen më shumë në Aleancën ushtarake transatlantike. Qoftë duke patur parasysh temën e vazhdueshme të shpenzimeve, qoftë në formë nismash konkrete. Uashingtoni e vlerëson pozitivisht faktin që Gjermania shpreh tani një ide, që eventualisht mund të kishte qenë bazë për një debat të ri, thotë për Deutsche Wellen ambasadorja amerikane në selinë e NATO-s, Kay Bailey Hutchison.

Megjithatë, në konferencën njëorëshe të shtypit në auditoriumin e mbushur plot të NATO-s, nuk u fol për nismën gjermane si temë më vete. Për të u shtrua vetëm një pyetje. Sipas vëzhguesve shtetet anëtare të NATO-s nuk e kanë përqendruar vëmendjen tek plani gjerman për Sirinë.

Por ministrja gjermane e Mbrojtjes kërkon të çojë vëmendjen e partnerëve pikërisht aty. Zëdhënësi i saj bëri të ditur të mërkurën në Berlin, se Kramp-Karrenbauer është “duke u munduar”, të flasë me shumë partnerë dhe ka marrë “sinjale gatishmërie për të folur për këtë propozim”.

Pyetje nga Parisi

Shumë vonë, thonë disa vetë në Berlin. Ministri gjerman i Jashtëm, Heiko Maas foli për telefonata me partnerë të irrituar. Edhe deputetët flasin për pyetje të bëra nga kolegët e tyre nga vendet e tjera, si për shembull nga Franca. Franziska Brantner, kryesuese e Të Gjelbërve në Komisionin për çështjet e Evropës në parlamentin gjerman, tregon në bisedë me Deutsche Wellen për pyetje të bëra nga Parisi, “nëse duhet marrë seriozisht ky propozim, apo ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme”. Politikania e Të Gjelbërve tregon se është “indinjuar”, kur ka marrë vesh se ky propozim nuk është diskutuar as me qeverinë gjermane as me partnerët evropianë: “Politika e përgjegjshme nuk bëhet kështu”, thotë Brantner.

Në Francë është parë “me sy shumë kritik”, fakti që ministrja gjermane e Mbrojtjes nuk ka thënë asgjë për kontributin që mund të japë në një ndërhyrje të mundshme ushtarake. “Frau Kramp-Karrenbauer nuk tha: Ne do të dërgojmë edhe gjermanë. Dhe në Francë kjo perceptohet sikur të ishte: Thuaj, ç’është kjo punë?”

Pakënaqësi ndaj SHBA

Nëse Franca do të kritikojë propozimin e bërë nga ministrja gjermane, pritet të shihet në Bruksel në takimin e Aleancës. Megjithatë në selinë kryesore të NATO-s, nuk arrihet të kuptohet shqetësimi për nismën e ministres gjermane.

Në qarqet diplomatike thuhet, se pakënaqësia ndaj SHBA është shumë e madhe, sepse nuk pati informuar në asnjë mënyrë partnerët për tërheqjen e trupave të veta nga rajoni. Po ashtu edhe ndaj Turqisë, partneres në Aleancë. Invazioni turk dhe pasojat e rënda të tij për zonën dhe popullsinë kanë krijuar shqetësim tek vendet anëtare të NATO-s, mes tyre edhe Gjermania. Për disa vende anëtare qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, është shumë i butë. Vërtet që shefi i Aleancës ushtarake i bën thirrje Turqisë për përmbajtje maksimale dhe kërkon respektimin e ligjeve ndërkombëtare. Megjithatë ai këmbëngul në pozicionin e tij, se sjellja turke bazohet në “shqetësime legjitime të politikës së sigurisë”.

NATO qëndron e përmbajtur me kritikat ndaj Ankarasë

Deri tani Aleanca nuk e ka dënuar invazionin turk në Sirinë e Veriut, ndryshe nga BE, e cila e ka dënuar. Nga ajo që shihet duket se kjo ka krijuar mungesë mirëkuptimi tek disa partnerë të Aleancës. Ky është takimi i parë i Aleancës, mbas tërheqjes së trupave amerikane. Mbas ofensivës turke ky është rasti i parë për të folur në nivel ministror se sa komplekse është gjendja në Aleancë. Sidomos midis anëtarëve SHBA dhe Turqi. Edhe kjo tregon pse propozimi gjerman nuk krijoi ndonjë eufori të madhe.

I vetmi vend që e refuzon “planin gjerman” për të krijuar një zonë të mbrojtur ndërkombëtare është Rusia, një vend jo anëtar i NATO-s. Pritet që vendet anëtare të flasin për këtë edhe të enjten. Vendime konkrete nuk pritet të merren.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu