Dueli ndaj Atto Wallin, fituar me vendim unanim të gjyqtarëve më 14 shtator të vitit të kaluar, ka qenë një makth për Tyson Fury, aktualisht kampion bote në peshën e rëndë në kategorinë WBC. Në atë duel, Fury pësoi një çarje të madhe në syrin e djathtë në raundin e tretë dhe rrjedhja e gjakut nuk pushonte.
Në stafin e Fury në atë duel ishte edhe Jorge Capetillo, njeriu që merrej me dëmtimin, që luajti një rol thelbësor në mbylljen e çarjes gjatë sfidës. Ai arriti të mjekojë me kujdes Fury gjatë duelit, duke i dhënë mundësi britanikut të vazhdojë sfidën dhe fitojë, duke mbetur i pamposhtur.
Boksieri britanik nuk e ka harruar këtë të mirë që i bëri Capetillo, që i shpëtoi karrierën dhe në momentin që ky i fundit ishte në vështirësi ia ka shpërblyer. Fury i ka dërguar një çek Jorge Capetillo pak ditë më parë, pasi mësoi se palestra e tij ishte mbyllur, për shkak të krizës financiare së krijuar nga pandemia e Covid-19.
“Kur Fury mori vesh që kisha mbyllur palestrën për shkak të koronavirus u tregua shumë dashamirës. I jam mirënjohës. Më çoi një mesazh duke më thënë: “A mund të bëj diçka për të të ndihmuar”. U kujdes për mua”, tha Jorge Capetillo.
“Unë duhej të isha me boksierin Jessie Vargas në Nju Jork më 14 mars për duelin e tij, por ajo sfidë u anullua dhe unë u ktheva me xhepat bosh. Fury më tha se do të më dërgojë paratë që unë e familja ime të jemi mirë. Është një njeri i madh. Pati kohën për t’u interesuar për mua gjatë krizës”, tha Capetillo.