Partia Demokratike nuk heq dorë nga ideja se koalicionet parazgjedhore duhet të jenë ashtu sikur janë aktualisht .
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, shpehet se ndryshimi i njëanshëm i kushtetutës, tregon se kryeministri Rama vijon koalicionin me krimin.
Përmes një statusi në Facebook, Bardhi ka postuar videon e publikuar nga ‘Bild’, të përgjimit të përfaqësuesit të PS në Këshillin Politik Damian Gjiknuri, për procesin zgjedhor të 2015-ës në Dibër, ku PD akuzon se janë blerë vota.
Për Bardhin, Rama është i braktisur nga qytetarët, dhe po tenton të prishë rregullat e lojës.
Statusi i Bardhit në Facebook
Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës është provë që Edi Rama vazhdon koalicionin me krimin e organizuar.
Zgjedhjet në Shqipëri nuk i ka dëmtuar pjesëmarrja e partive politike në zgjedhje, por bashkëpunimi i Damianit me Ymer Lalat në blerjen e votave, bashkëpunimi i Vangjushit me Avdylajt në caktimin e kandidatëve dhe kërcënimin e votuesve, etj. Pra, zgjedhjet i ka dëmtuar koalicioni i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe jo koalicioni parazgjedhor i partive politike.
I braktisur nga qytetarët, Edi Rama po tenton të prish rregullat e garës në mënyrë të njëanshme, i friksuar nga humbja e zgjedhjeve dhe pushtetit të tij personal, që në 7 vjet e përdori vetëm për të mbështetur veten, oligarkët dhe krimin e organizuar!
Asnjë ndryshim i njëanshëm nuk mund të jetë i detyrueshëm për opozitën politike të vendit. Nëse Edi Rama ka vendosur të hedhë në erë zgjedhjet e ardhshme, ne do të bëjmë gjithçka që koston ta mbajë ai, personalisht, jo Shqipëria e shqiptarët.