Gjykata e Tiranës administroi sot dëshminë e Fredi Alizotit, i implikuar në dosjen e ashtuquajtur “Babalja”. Ai iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve, teksa pranoi akuzat e kallëzimit të rremë dhe rrëfeu para gjykatës se ai me Albert Veliun kanë bërë audio përgjimin.
“Plani, tha Alizoti, ka qenë që në shtator të 2017, por nuk është realizuar, pasi Veliu nuk kishte gjetur njerëz të besuar në Vlorë. Më pas i kishte kërkuar sërish Alizotit, dhe ky i fundit tha se ka pranuar ta bënte, pasi bëhej fjalë për 200 mijë euro, që sipas tij, ia ka premtuar Ervin Salianji”.
Sipas Alizotit, është ky i fundit që gjithashtu i ka siguruar stilolapsat për përgjim. “Mos marrja e lekëve, tha i pandehuri, më shtyu që të tregoj të vërtetën”, ndërsa shtoi se ishte ndjerë i kërcënuar. Nga ana tjetër, Alizoti u pyet edhe nga avokati Indrit Sefa, i cili ngriti dyshime në lidhje me thëniet e tij, duke e pyetur për disa përgjime, ku Alizoti fliste miqësisht me drejtorin e Policisë së Fierit.
“Nuk i kam miq, por tek ata ndihesha i sigurt”, tha Alizoti, teksa i përgjigjej pyetjes së avokatit. Sefa shtoi se personaliteti i të pandehurit nuk është i besueshëm dhe se ai ka implikuar në këtë histori njerëz që nuk i njeh dhe as i ka parë ndonjëherë në jetë./balkanweb