Këngëtari i njohur shqiptar, Afrim Muçiqi, gjatë kësaj kohe ka qenë shumë i zëshëm për vendimet e fundit që janë marrë në lidhje me dasmat dhe ahengjet muzikore.
Ditën e djeshme (e mërkurë) Qeveria e Kosovës ka marrë masa shtesë kundër përhapjes së COVID-19, njëra ndër të cilat është ndalimi i grumbullimit të më shumë se 50 personave në hapësira të hapura e të mbyllura.
Artisti, i cili është shumë i pranishëm në ahengje të tilla, në një lidhje direkte në emisionin “Zyra e Ankesave” ka thënë se ky vendim nuk është pritur mirë nga ana e tij.
Afrim Muçiqi (Foto: Facebook)
“Nuk e kemi pritur mirë, unë e kam përsëritur dhe po e përsëris prapë, edhe ne jemi pjesë e kësaj Kosovë, e kësaj shoqërie. Të gjithë e dimë se dasma me 50 vetë nuk ka kuptim për arsye se edhe ne edhe qeveritarët tanë e dinë si është, ne gjithmonë kemi shkuar nëpër dasma ahengje”, ka thënë Muçiqi.
Ai shton se është ofenduese nëse ndalohen dasmat, e të mbahen tubime të tjera ku përfshihen mbi 50 persona.
“Jemi dëshmitarë të përditshëm, është numër i stërmbushur i njerëzve në lokale, kafiteri, ku është logjika që dasmat të ndalohet, edhe ne jemi për shëndetin e njerëzve. Është ofenduese për neve, për një komunitet shumë të madh në Kosovë pasi janë të gjitha përfshira në këtë. Ofendimi i radhës që ju ka bërë mërgimtarëve, gurbetqarët nuk vijnë me i pa qeveritarët, vijnë me i pa familjet e tyre dhe i kryejnë ceremonitë e ndryshme”, vazhdon tutje këngëtari.
Muçiqi po ashtu thekson se nuk duhet të diskriminohen vetëm artistët, të cilët përfshijnë një pjesë të madhe në Kosovë.
“Popullata shpëtohet kur ndalohen të gjitha aktivitetet, ose t’i mbyllin të gjithë ose të gjithë të punojmë, virusi ose njeh ose nuk njeh”, thotë mes tjerash ai.