Kryetrajneri i Vjosës së Shtimes, Afrim Jashari, ndryshe ish futbollist me përvojë, tha se ka qenë kohë e vështirë për të gjithë, për shkak të pandemisë Covid 19. Ai është i kënaqur me klubin Vjosa, që është prej klubeve më të organizuar në futbollin e Kosovës.
“Normalisht të shohim gjendjen psiqike dhe fizike të lojtarëve, e normalisht se as ne nuk kemi mund të jemi indiferent sepse kjo gjendje nuk është përjetuar thuaja asnjëherë. Por, unë shpresoj dhe besoj se dëshira e madhe për t’ju rikthyer futbollit do të mposht çdo barrierë edhe pandeminë”, tha Jashari për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Jashari tha se me kushtet dhe organizim brenda pak viteve e sheh Vjosën në ligën e parë.
“KF Vjosa, në të ardhmen e afërt unë e shoh për 3-5 vite në ligën e l-rë, kuptohet nëse realizohet plan-programi i këtij cikli vjetor i paraparë nga Bordi i Kryesisë. Këtë fakt e bazoj në gatishmërinë edhe angazhimin e madh të të gjithëve në klub, por edhe Kuvendit Komunal dhe donatorëve të shumtë të cilët janë gjithherë të gatshëm të kontribojnë në të gjitha mënyrat që ju kërkohet”, tha ai.
Sa i përket organizimit dhe kushteve: “Po e them pa e tepruar dhe jo vetëm se unë jam trajner aty, por mund të them se sa i përket anës organizative shumë ekipe të rangjeve më të larta ia kanë lakmi. Këtu në klub vetëm garimi në ligen e 3-të është i ultë, sepse organizimi i brendshëm është perfekt besoni, duke filluar nga stërvitjet, udhëtimi, ushqimi, pagesat (edhe të rrugës), edhe kultura e lartë sportive e cila mbretëron ndaj tifozëve, personave zyrtarë, referëve etj, etj.
Dua të përmendi një detaj që e karakterizon KF Vjosën edhe gjatë ndeshjeve kontrolluese (miqësore), ekipi çdo herë sikur ndeshjet kampionale e ka drekën e përbashkët fitoj apo humbi, e mos ti përmendi kujdesin ndaj lojtarëve me perime dhe ujë para çdo ndeshje. Këto gjëra në fakt nuk kanë ndonjë kosto shumë të madhe por kujdesi dhe qasja mund të them profesionale, i jep vullnet secilit akter në klub që të jep angazhimin maksimal, edhe sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve me të gjitha jemi në rregull po ashtu e kemi edhe një privilegj të madh sepse kur bën vapë e madhe në ushtrimet i mbajmë nën dritat e reflektorëve në mbrëmje.
Shkurt e shqip në KF Vjosa, secili e kryen punën dhe detyrat e veta me përgjegjësi dhe nder, është një mjedis i mrekullueshëm dhe atmosferë shume e mirë për punë”. Si çdo klub tjetër në Kosovë edhe Vjosa ka talente të shumtë.
“Sa i përket talenteve të rinj, ka sa të duash me një të ardhme të ndritur në klub. Dua ti përmendi Drilon Mehmetin, Lirim Imerin, Valton Sokolin, Vedat dhe Veron Ademajn, Gëzim Jasharin, Albrim Rashitin, Dardan Rashitin, etj. etj. të cilët disa prej tyre edhe janë pika kyqe në përbërjen e parë dhe janë hisedare në sukseset e ekipit dhe në rezultatet e mira”, shprehet krenar Jashari.
Cilat janë synimet? “Se si kanë rrjedh gjërat në të kaluarën dhe si u gjend KF Vjosa në ligën e tretë, ishte një riorganizim i ligave të dyta, duke pësuar edhe Vjosa. Kurse synim i vetëm është inkuadrimi në ligën e 2-të, edhe pse jemi në pozitën e liderit, kemi prapa ndjekësit e afërt. Prandaj na duhet me çdo kusht duke punuar pandërprerë dhe me një angazhim te arrijmë këtë qellim. Sepse kjo do të ishte mënyra e vetme që t’i shpërblejmë të gjithë qytetin e Shtimes dhe angazhimin e madh të Bordit në krye me lryetarin Avdi Sadiku”, përfundoi Jashari.