Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së aktorit të mirënjohur Reshat Arbana, nuk mund të mungonte as urimi i presidentit të Republikës Ilir Meta.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit përveçse i thur elozhe nderit të kombit, shprehet se për Arbanën do të ketë vetëm pranvera.
Për këtë arsye Meta i ka dërguar Arbanës një tufë me 80 trëndafila të bardhë.
Postimi i presidentit:
“Shumë urime Nderit të Kombit dhe skenës shqiptare, mjeshtrit të papërsëritshëm të aktrimit, Reshat Arbana, në 80-vjetorin e Tij të lindjes!
Origjinal në çdo rol dhe frymëzues në çdo interpretim, me zë kumbues, talent të jashtëzakonshëm artistik dhe falë një personaliteti të rrallë që rrezaton fisnikëri, Reshat Arbana e ka pasuruar kulturën tonë kombëtare, duke u kthyer në një nga aktorët më të dashur popullorë për të gjitha brezat.
Me padurim presim ta rishohim në role të reja!
Për Reshat Arbanën do të ketë vetëm pranvera!”