Pas dëshmisë rrëqethëse të vajzës 17-vjeçare nga Fushë-Kruja, e abuzuar dhe shfrytëzuar si prostitutë nga katër të rinj për një periudhë 8-mujore, flet edhe babai i saj.
Pas dëshmisë ekskluzive të vajzës siguruar për “News 24” dhe “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat ka një apel edhe babai i saj. Ai kërkon mbrojtje nga shteti për gjithë familjen pasi pas tritolit që iu hodh në banesë ndjehen të kërcënuar.
“Shteti të më mbrojë familjen. Një prej personave të shpallur në kërkim më hodhi tritol te shtëpia. Ndihem i kërcënuar.
Dua që shteti të më mbrojë jetën e fëmijëve se me bukë i mbaj vetë. Kanë frikë të rrinë në shtëpi. Vajzën ma kanë torturuar për muaj të tërë. Shteti të bëjë drejtësi”,- thotë ai.
Më herët gjatë dëshmisë së saj, vajza u shpreh se të rinjtë kishin përfituar për ta shfrytëzuar e kërcënuar pasi babai i saj ishte në burg.
DESHMIA:
Jam abuzuar seksualisht që kur isha 16 vjeçe. Me jepnin droga të forta dhe më detyronin të kryeja marrëdhënie me ta. Shpesh herë edhe më dhunonin fizikisht. Më parë kam konsumuar hashash. Kur festova ditëlindjen e 16-të një djalë që më ngacmonte më dha kokainë. Ajo më bënte të mos isha e përgjegjshme për veprimet e mia.
Jam shfrytëzuar si prostitutë për 8 muaj. Para akteve seksuale që kryheshin pa vullnetin tim më jepnin drogë. Ata shfrytëzonin faktin që babai im ishte në burg. Kanë tentuar të më trafikojnë edhe në Greqi. Shpesh më kërcënonin se do abuzonin seksualisht dhe do trafikonin motrat e mia nëse unë i denoncoja”,- rrëfen vajza.
E ndërsa rrëfen, ajo ka një apel për të gjitha bashkëmoshataret e saj, që të mos ketë të njëjtin fat: “Kam qëndruar 3 muaj në një qendër rehabilitimi në Vlorë. Tani jam e pastruar nga droga dhe u bëj apel gjithë bashkëmoshatarëve të mos i besojnë askujt por vetëm familjarëve. Vetëm ata ta duan të mirën”.