Thomas Muller pranon se e ardhmja e tij te Bayern Munich ishte krejtësisht e paqartë në fillim të sezonit 2019-2020. Megjithatë, ai zgjodhi ta vazhdojë rrugën me bavarezët, teksa konsideron se “cilësia, sjellja dhe forca” kanë kontribuar në jetëgjatësinë e tij në “Allianz Arena”. 30-vjeçari, fitues i Kupës së Botës, është pjesë e gjigantëve të Bundesligës prej kohësh, me 525 ndeshje aty, deri tani. Po ashtu, Muller ka qenë një yll për forcën mbizotëruese në futbollin gjerman, duke fituar 8 tituj të Bundesligës, një Ligë Kampionesh dhe Botëror.
Zëra për transferimin e tij kanë qarkulluar në intervale të ndryshëm gjatë viteve, me Manchester United dhe Arsenal, që thuhet se kanë qenë të prirur ta marrin në Angli. Megjithatë, duket se Muller do ta mbyllë në Bavari, aty ku e ka rigjetur veten, pasi kishte “ngrirë” nën drejtimin e Niko Kovac. Tashmë, ai ka kontratë të re deri në vitin 2023. Në përfundim të kësaj marrëveshjeje, Muller do të mbushë më shumë se 14 vite në ekipin e parë të Bayernit. Për faqen zyrtare të klubit, ai tha:
“Për të pasur jetëgjatësi në këtë klub të duhet cilësi, sjellje e duhur, forcë dhe të jepni gjithcka në fushë. Pa dhënë gjithçka nuk është e mundur të luash për Bayernin aq kohë sa unë. Thjesht duhet të performosh në nivele të larta. Klubi nënshkruan me një lojtar, sepse beson t’i arrijë objektivat me të. Dhjetë muaj më parë, situata ishte krejt ndryshe. Kush e dinte nëse do ta zgjatej kontrata ime deri më 2023 atëherë… Në biznesin e futbollit, por edhe në jetën e përditshme, shpesh ka vetëm dallime delikate midis vendimeve të ndryshme”.
Muller ka 196 gola për Bayernin, në emrin e tij, me 32 të tillë të shënuar në të gjitha garat, gjatë sezonit më produktiv, 2015-2016. I pyetur për të zgjedhur pozicionin e tij më të mirë, Muller nënvizoi: “Unë preferoj të luaj menjëherë pas sulmuesit tonë të parë, Robert Lewandowski. Nga aty mund të futem edhe në hapësirat e krijuara në të dyja anët. Nuk veproj si një shpërndarës statik i topave, edhe pse aftësitë e mia në këtë drejtim janë gjithashtu shumë të mira”.