Zbardhen ndryshimet në Kodin Zgjedhor të arritura me konsensus nga Këshilli Politik.
Konkretisht në Kodin e Ri Zgjedhor parashikohet që:
Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 9 të këtij ligji.”
Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një ditë të diel brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij ligji.
Kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 prilli deri në 15 maj, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.
Kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri në 15 nëntor, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 18:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, i cili drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e adminstratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.
Organet drejtuese të KQZ-së janë:
i. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve;
ii. Komisioni Rregullator; dhe
iii. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.
Kanë të drejtën të kandidojnë ose të propozohen për komisioner, shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.