Ish-kryeministri Sali Berisha për herë të parë ka rrëfyer se pas zgjedhjeve të 6 marsit, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim i ka dërguar një person në zyrë, ku i propozonte që të hiqte dorë provizorisht nga gara për kryetarin e PD-së, ndërsa i kishte garantuar edhe largimin e Bashës.
Sipas tij, përgjigjja ishte se ai refuzonte dhe kërkonte në mënyrë të prerë që të mos ndërhyhet në zgjedhjen e forumeve dhe kryetarit të PD-së.
“Kjo ishte shkelje e parimeve themelore mbi të cilat bazohet demokracia, e statusit të saj por ishte dhe përpjekje e dështuar e radhës e zonjës për të përcaktuar kreun e PD-së. Unë dua t’i njoh qytetarët shqiptarë dhe demokratët në veçanti se pas zgjedhjeve të 6 marsit guvernatorja Kim dërgoi në zyrën time një person me propozimet e saj. Propozime që konsistonin që unë të hiqja dorë provizorisht nga gara për kryetar të PD-së, të caktoja cilindo njeri që doja unë dhe atë provizorisht dhe më pas mund të kandidoja vetë për kryetar, duke paraqitur garanci të plotë se Basha do të largohej dhe do të pranonte vendimet.
Përgjigjja ime ishte një refuzoj në mënyrë kategorike çdo ndërhyrje tuaj zonjë në problemet e brendshme të PD, refuzoj dhe kërkoj në mënyrë të prerë që të mos ndërhyni në zgjedhjen e forumeve dhe kryetarit të PD-së sikundër jashtë çdo dyshimi që unë mund të pranoj ndërhyrje të tilla”,
ka treguar Berisha.
Berisha iu rikthyer edhe njëherë deklaratave të Yuri Kim, e cila pak kohe me pare u shpreh se “demokratet nuk duhet te hane bar”.
“E vërteta është që me demokratët ajo ka bërë gjithçka që të ndërpresë marrëdhëniet me ta që në momentin kur i ka servirur atyre barin.
Prandaj do ta këshillojë guvernatoren Kim që në rast se kërkon të ketë një komunikim ti kërkojë të falur për shprehjen e diktatorit Hoxha. Deri më sot nuk ka kërkuar të falur.
Ajo ishte një frazë e mirëmenduar sepse është e njohur. Ose ajo ka studiuar Enver Hoxhën dhe ka gjetur shprehjen se shqiptarët bar do hanë dhe imperializmit amerikan nuk i nënshtrohen, ose ajo ka pasur lidhje me marksizëm leninizëm. Ajo ishte një përzgjedhje për ti ofenduar shqiptarët”,
tha Berisha për A2CNN.