Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është përplasur me deputetin e opozitës Halit Valteri gjatë fjalës në Kuvend.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se nuk merret me raste konkrete pasi deputeti i opozitës Halit Valteri solli në seancë rastin e vrasjes së Andi Malokut, shoferit të prokurorit Arjan Ndoj dhe fjalët e të atit që kërkonte drejtësi.
“Unë si ministër nuk merrem me raste konkrete. Nuk jam kryepolici i Shqipërisë. Nuk shoh as kamera. Policia i ka të përcaktuara procedurat. Ndërhyrjet e ministrit janë të paligjshme.
Unë besoj që ju duhet ta dini kush është përgjegjës, prokuroria. Ju duhet t’i paraqisni provat në prokuror. Qoftë për rastin e Durrësit, qoftë për raste të tjera jam i angazhuar që policia të performojë. E ndiej keqardhjen për atë ngjarje dhe familjen e djalit”, deklaroi Lleshaj.
Nga ana tjetër deputeti Valteri i kërkoi të flasë për krimin dhe të mos bëjë propagandë.
“Kuptova që je vetëm për tendera aty ose për emërime. Nuk ta ka shpjeguar kryeministri Rama që je personi përgjegjës për gjithçka ndodh. Të kam dëgjuar që ke thënë se policët janë fytyra jote…Llesh kam parë shumë polica që nuk do doja të ishin fytyra jote. Kam parë shumë policë të lidhur me krimin por nuk më duken si ti. Je gjë tjetër ti, unë nuk të kërkova asgjë personale, nuk të kërkova as të më bësh ushtarak. Për krimin nuk ke folur. Dy ministrat paraardhës, janë subjekt të OFL-së që ju e mbroni kaq shumë. Po shoferët e tyre por rrjeti i këtyre njerëzve. Kaq qorra jeni bërë? Zoti Lleshi hajde këtu dhe fol për krimin, mos më bëj pallavra dhe propagandë qeverie”, deklaroi Valteri.