Një sherr fizik mes disa personave ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ku janë përdorur dhe shkopinj gome. Policia bëri të ditur se dy persona janë arrestuar ndërsa dy të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë. Ja njoftimi i plotë i policisë: Pas një konflikti fizik midis njëri-tjetrit, Policia arreston në flagrancë 2 shtetas dhe procedon në gjendje të lirë 2 të tjerë. Mbrëmjen e kaluar, në ambientet e një lokali në lagjen “Lef Sallata”, pas një konflikti ndërmjet njëri-tjetrit për motive të dobëta, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Th.M., 42 vjeç pasi dyshohet se gjatë konfliktit ka përdorur shkop gome, në cilësinë e armës së ftohtë. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin S.Gj., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi nga kontrolli personal këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa. Gjithashtu, Policia ka proceduar në gjendje të lirë shtetasit A.L dhe Xh.A për “Plagosje të lehtë me dashje” pasi kanë goditur fizikisht shtetasin Th.M.