Vendimi i Këshillit bashkiak për përfshirjen në skemën e taksave dhe tarifave vendore të qytetit të Tiranës ka përcaktuar 6 kategori që përfitojnë nga skema falas e ofrimit të shërbimit për çerdhet.
Por pavarësisht kësaj, komuniteti rom dhe egjiptian kërkon që në këtë skemë të përfshihen të gjitha fëmijët e familjeve me të ardhura nën 260 mijë lekë të vjetra.
“Fëmijët rom, egjiptian, fëmijët që kanë të ardhura më pak se 260 mijë lekë në muaj nga familja dhe fëmijët jetim të arrijnë të përfitojnë kopshtet dhe çerdhet falas”, shprehet Eljana Rushit, transmeton Ora News.
Mbledhja e firmave ka nisur prej muajit korrik të këtij viti dhe ka bërë bashkë rreth 4 mijë qytetarë të cilët mbështesin këtë nismë qytetare.
Përfaqësuesja e kësaj nisme, Eljana Rushiti, shton se synimi është mbledhja e rreth 6 mijë firma për t’ja çuar më pas bashkisë.
“Është një inisiative qytetare. Ne duhet të mbledhim 5-6 mijë firma që të ndryshojmë vendimin e këshillit bashkiak”, shprehet iniciuesja.
Sipas vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës, nga skema e përjashtimit të tarifës për çerdhet përfitojnë fëmijët me statusin e jetimit apo kur kujdestari ligjor ka statusin e jetimit, fëmijët me aftësi të kufizuar apo me kujdestar me aftësi të kufizuar, fëmijët e familjeve monoprindërore dhe ata me ndihmë ekonomike.