Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi vijon të jetë i shtruar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi” në luftë kundër Covid-19.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka vlerësuar të gjitha mesazhet mbështetëse dhe urimet për shëndetin e tij, ndërsa tregon se deri tani situatën po e përballon me sukses.
Toçi thotë se gjendja duket e stabilizuar edhe pse lufta me Covid-19 vazhdon.
Ai ka një falenderim special për të gjithë stafin mjekësor që po kujdeset për të duke u treguar se humanizmin dhe misioni i tyre dinjitoz për t’u kujdesur për njerëzit duke u kushtuar jetën.
Postimi i Toçit në Facebook
Mirënjohje e Falënderime
Interesimi i të afërmve, miqve, të njohurve dhe dashamirësve të shumtë për gjendjen time shëndetësore, pas prekjes nga Covid-19 ma ka bërë më të lehtë përballimin e kësaj situate, si pjesë e rëndësishme e trajtimit shëndetësor që po përdoret, me sa duket deri tani, me sukses.
Në pamundësi për t’iu përgjigjur mijëra mesazheve dhe interesimeve të vazhdueshme në forma të tjera nga e gjithë bota, informoj se gjendja duket e stabilizuar, edhe pse beteja me Covidin-19 vazhdon dhe, me sa duket, do të zgjasë akoma.
Nuk di si t’ju falënderoj për forcën dhe kurajën që me keni dhënë në këto çaste të vështira për mua dhe familjen time, duke demonstruar vlerat e një shoqërie humane e të qytetëruar, siç ka qenë dhe është shoqëria shqiptare.
Mirënjohje dhe dashuri të pafund për personelin e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, mjekë, specialistë e infermierë, profesionalizmi, kujdesi dhe humanizmi i të cilëve janë shfaqja më dinjitoze e misionit që kanë marrë përsipër dhe i kanë kushtuar jetën e tyre.
Çfarë të them për Prof. Perlat Kapisyzin, drejtorin e institucionit?! Disa njerëz janë lindur e formuar për të qenë misionarë me punën e tyre, me ndikim dhe kontribute te jashtëzakonshme në shoqëri, dhe do të thoja pa hezitim, ky është një nga rastet më të spikatur.
Zoti i ruajttë dhe u dhëntë forcë!
Shoqëria ka nevojë jetike për ata sot më shumë se kurrë, ashtu sikurse edhe ata kanë nevojë që të gjithë ne të jemi më të ndërgjegjshëm e më të përgjegjshëm përsa po ndodh realisht në të gjithë botën.