Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me trupë gjyqësore relator Sokol Binaj, ka pranuar ankimet e Arben Tuci dhe Durim Vata që u arrestuan gjatë një operacioni masiv antidroge në zonën e Kukësit dhe të Av. Arber Hoxha dhe Sokol Tahiraj, duke e nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit të Gjykates së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe duke urdhëruar kthimin e akteve në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompetencën lëndore duke i kërkuar Gjykatës dërgimin e akteve Prokurorisë Kukës.
Kujtojmë këtu që të dyshuarit janë midis 19 personave të arrestuar në 18 Maj 2020, në zonën e Kukësit dhe Hasit, në kuadër të një procedimi penal më shumë se 2 vjeçar, për kultivimin e lëndës narkotike.
Pavarësisht kësaj, është vendosur që të vazhdohet seanca gjyqësore për caktimin e masave të sigurimit, ku në përfundim të gjykimit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.