SHBA-ja po mban disa trupa pranë fushave të naftës në verilindje të Sirisë për t’i mbrojtur ato nga militantët e Shtetit Islamik, njoftoi të hënën Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper.
Një autokolonë prej më shumë se 100 mjetesh mbushur me trupa amerikane kaloi në Irak nga Siria të hënën, një lëvizje që pason urdhërin për tërheqje nga Siria veriore dhënë nga Presidenti Donald Trump. Por zoti Esper tha se disa forca amerikane do të vazhdojnë të patrullojnë ende pranë fushave të naftës përkrah Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët.
Shefi i Pentagonit tha se nuk është marrë ende ndonjë vendim afatgjatë “në lidhje me numrin e trupave apo diçka të lidhur me të” dhe se asnjë plan nuk i është paraqitur Presidentit Trump. Të dielën zoti Trump shkruante në twitter se “SHBA po garanton fushat e naftës”.
Tërheqja e trupave me urdhër të Presidentit Trump ka zemëruar kurdët në veri të Sirisë, të cilët kanë luftuar përkrah forcave amerikane kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Tërheqja u pasua nga ofensiva turke në veri të Sirisë.
Të hënën zoti Trump i tha anëtarëve të kabinetit të tij se SHBA-ja “nuk është angazhuar të luftojë krah kurdëve për 400 vjet” për t’i mbrojtur ata.
Javë e kaluar SHBA-ja ndërmjetësoi një armëpushim pesëditor me Turqinë për t’i dhënë luftëtarëve kurd mundësinë për t’u larguar nga kufiri ku Turqia dëshiron të vendosë një “zonë të sigurt” 32 kilometra të gjerë.
Zoti Trump tha se armëpushimi kryesisht po respektohet pavarësisht disa përleshjeve të armatosura.
Ai tha se luftëtarët kurdë po largohen nga zona e sigurt “ndonëse jo me shpejtësi, por me kujdes” siç tha ai.
Zoti Trump tha se “nëse Turqia nuk sillet siç duhet SHBA-ja do t’i vendosë tarifa e sanksione”, ndonëse siç tha nuk do të donte që një gjë e tillë të ndodhte.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëriti të hënën se ofensiva kundër luftëtarëve kurdë do të rifillojë nëse ata nuk tërhiqen nga kufiri turk deri në momentin e përfundimi të afatit të asaj që ai e quan pauzë e ofensivës. Armëpushimi përfundon të martën në mbrëmje.
Falë vendimit për tërheqje të trupave amerikanë, Rusia, aleati i Presidentit sirian Bashar al-Asad, po mbush vakumin e krijuar në veri të Sirisë. Edhe pse Turqia është një vend aleat i NATO-s, zoti Erdogan pritet të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë për të hartuar strategjinë e tyre për Sirinë.
Pa dhënë shumë detaje zoti Erdogan tha gjatë një forumi në Stamboll të hënën, se me zotin Putin do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për verilindjen e Sirisë.
Të hënën autokolona me trupa amerikane që u fut rajonin e Kurdistanit të Irakut u gjuajt me patate të kalbura nga banorë të zonës ndërsa kalonte në qytetin e Duhok-ut. Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se të gjitha forcat amerikane që do të largohen nga Siria do të vendosen në Irakun perëndimor dhe mund të kryejnë operacione antiterror kundër Shtetit Islamik.
SHBA-ja ka aktualisht rreth 5 mijë trupa në Irak bazuar në një marrëveshje mes Bagdadit dhe Uashingtonit. Trupat u tërhoqën në vitin 2011 kur operacionet uashtarake atje përfunduan, por u rikthyen pas tre vitesh kur Shteti Islamik mori kontrollin e pjesës më të madhe të vendit, territor që e humbi sërisht më vonë.
Sekretari Esper tha se marrëveshja e nënshkruar të enjten e kaluar për armëpushim pesëditor mes forcave turke e kurde në veri të Sirisë “duket se po respektohet”.
Turqia njoftoi se një prej ushtarëve të saj u vra dhe një tjetër u plagos të dielën pas një sulmi të milicisë kurdo-siriane YPG në Tel Abyad në verilindje të Sirisë.
Ndërkohë një përfaqësues i grupit kryesor kurd në Siri i Forcës Demokratike Siriane (SDF) ndodhet në Uashington për bisedime me zyrtarët amerikanë./Voa/