Presidenti Donald Trump njoftoi të mërkurën një armëpushim të përhershëm të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Siri dhe hoqi sanksionet që vendosi ndaj Turqisë, duke thënë se Ankaraja kishte pranuar të ndalte ofensivën e saj ndaj kurdëve sirianë. Por ligjvënësit amerikanë mbeten thellësisht të shqetësuar për situatën në veri-lindje të Sirisë, veçanërisht për pasojat e vendimit të presidentit Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson ka më shumë hollësi nga Kapitoli.
Ushtria ruse mbërritI në Koban ndërsa Rusia dhe Turqia arritën një marrëveshje për të kontrolluar kufirin sirian pas largimit të forcave amerikane.
Uashingtoni njoftoi se marrëveshja e tij me Ankaranë është tani e përhershme.
“Besoj se do të jetë i përhershëm. Prandaj, e udhëzova Sekretarin e Thesarit të heqë të gjitha sanksionet e vendosura në 14 tetor në përgjigje të ofensivës së Turqisë kundër kurdëve në rajonin kufitar verilindor të Sirisë. Pra, sanksionet do të hiqen nëse nuk ndodh diçka që të mos na pëlqejë.”
Presidenti tha se një numër i vogël i trupave amerikane do të mbetet në rajon për të mbrojtur naftën. Por në aspektin afatgjatë politika amerikane është ende duke u përpunuar, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në një seancë të Kongresit.
“Nëse ato trupa tërhiqen plotësisht, do të zhdukej një mjet shumë i rëndësishëm që kishim për ta mbajtur nën kontroll ISIS-in “, tha James Jeffrey.
Vendimi i presidenti Trump në fillim të këtij muaji për tërheqjen e papritur të trupave amerikane ndezi alarmin mes ligjvënësve në të dy anët.
“Ky vendim ishte një goditje për sigurinë tonë kombëtare. Presidenti Trump u ka bërë një dhuratë armiqve të Amerikës, ISIS-it, Rusisë dhe Iranit. Përpjekjet e koalicionit për të luftuar ISIS-in filluan nën administratën e Obamës dhe ishte bërë shumë përparim. Ne rimorrën në kontroll territore dhe futëm në burgje mijëra luftëtarë të ISIS-it”, tha ligjvënësi Eliot Engel.
Ligjvënësit shpresojnë se do të mbetet një farë force në Siri.
“Jam i shqetësuar se një tërheqje e plotë do të krijojë hapësirë që ISIS-i të riorganizohet, të rritet dhe të fitojë më shumë forcë”, tha ligjvënësi Michael McCaul.
…. Ndërsa situata për aleatët kurdë të Shteteve të Bashkuara mbetet e pasigurt.
“Çfarë lloj sinjal po i dërgojmë komunitetit ndërkombëtar – që Shtetet e Bashkuara do të kthejnë shpinën ndaj aleatëve që vuajtën kaq shumë?”, tha ligjvënësi Michale McCaul.
Nëse Turqia nuk arrin të respektojë armëpushimin, presidenti Trump ka ende mundësinë për të përdorur një urdhër ekzekutiv.
“Ky urdhër ekzekutiv i drejtohet kujtdo që sfidojnë paqen, stabilitetin, sigurinë ose integritetin territorial të Sirisë, ose procesin politik që përpiqet të gjejë një zgjidhje të luftës civile. Ky është një mjet shumë i fuqishëm dhe kjo administratë është e gatshme ta përdorë përsëri”, tha ambasadori Jeffrey.
Por mundësitë e Kongresit për të kundërshtuar Shtëpinë e Bardhë janë të kufizuara.
“Çfarë mund të bëjë një Kongres kur presidenti dhe dega ekzekutive kanë kaq shumë autoritet për të përcaktuar formën dhe ritmin e tërheqjes së trupave amerikane, dhe gjithashtu për të vendosur politikën e jashtme siç do presidenti? Ka gjëra që Kongresi mund të bëjë në drejtim të financimit dhe shkurtimit të fondeve dhe përdorimit të tyre si levë. Por është jashtëzakonisht e vështirë”, thotë Brian Katulis me Qendrën për Përparimin Amerikan.
Disa pjesë të legjislacionit që presin miratimin e kongresit do të mohonin ndihmën ushtarake amerikane për Turqinë dhe do të ndihmonin aleatët kurdë me viza./VOA