Trajneri i Mallorcas, Vicente Moreno, ka treguar se si e kishte zemëruar aq shumë Lionel Messin në takimin me Barcelonën në dhjetor, saqë argjentinasi i kishte thënë se katalonasit do t’ia shënon shtatë gola.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Barcelona e zhvilloi ndeshjen e parë të sezonit kundër Mallorcas. Kapiteni i katalonasve, Lionel Messi, ishte kapur me trajnerin e kundërshtarëve, Vicente Morenon.
Në atë ndeshje, Messi shënoi het-trik dhe Barcelona fitoi 5:2, ndërsa tani trajneri Moreno ka bërë të ditur se si e kishte paralajmëruar Messi pasi e kishte zemëruar.
“Lojtarët më thanë pas ndeshjes se unë isha fajtori për atë disfatë sepse e kisha zemëruar Messin. Ai ishte aq i zemëruar saqë në tunel, pas pjesës së parë, më tha se do të na i shënonin shtatë gola dhe më pas i tha edhe Luis Suarezit se duhej të na i shënonin shtatë gola”, ka thënë Moreno.
“Ata nuk arritën të na i shënojnë shtatë, por ai i shënoi vetë tri. Ai është lojtari më i mirë në botë. Shikojeni brilancën e tij, karakterin dhe urinë e tij për fitore. Ajo që ndodhi e shton vlerën e tij”.
Dyshja do të përballet edhe sot në orën 22:00 në ndeshjen e parë pas ndërprerjes shkaku i koronavirusit, mirëpo Moreno ka treguar se nuk do ta zemërojë argjentinasin këtë herë.
“Këtë herë nuk do të përfshihem në zënka. S’më sjell asnjë të mirë”, përfundoi Moreno.