Iu sekuestruan leva, gurë, thika. Policia bën bilancin e trazirave të mbrëmshme në Tiranë

0
Iu sekuestruan leva, gurë, thika. Policia bën bilancin e trazirave të mbrëmshme në Tiranë
Gjigandi

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e trazirave të mbrëmjes së kaluar, ku dy tifozëritë, ato të Romës dhe Feynoord-it u përleshën me njëra-tjetrën, por edhe me forcat e rendit. Ka qenë zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë, Albert Dervishi, ai që ka konfirmuar në një konferencë pë shtyp shoqërimin e 60 tifozëve problematikë; 48 italianë dhe 12 holandezë në polici. Atyre iu janë sekuestruar leva, gurë, thika, lëndë piroteknike:

“Janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit 60 shtetas tifozë problematikë nga të dy skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, për përfshirje në aktet e dhunshme dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë. Atyre u janë sekustruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj., gjë për të cilën, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë në vijim.

Fillimisht një grup tifozësh të njërës nga skuadrat finaliste ka lëvizur në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare” me qëllim për të tentuar një përplasje me një grup tifozësh të skuadrës tjetër finaliste.

Shërbimet e Policisë së Rendit Publik kanë tentuar të ndalojnë grupin e tifozëve të skuadrës Feyenoord, në rrugën “Mustafa Matohiti”, por ata në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e policisë, me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Një grup tjetër i tifozëve të skuadrës së Romës kanë lëvizur në drejtim të urës pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe më pas edhe në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku edhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë, duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

RonaTyra

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve iu është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit.

Në qendrat spitalore, gjatës natës së shkuar janë drejtuar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, nga të cilët 5 shtetas shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.

Gjithashtu, sot në orët e para të mëngjesit janë deportuar nëpërmjet Portit të Durrësit 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.

Policia e Shtetit vlerëson sjelljen dhe reagimin e qytetarëve të Tiranës gjatë natës së djeshme, për të shmangur frekuentimin e këtyre zonave ku janë kryer veprime të dhunshme nga tifozët, veprime të cilat nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

Policia e Shtetit vlerëson maksimalisht edhe qasjen e ditës së sotme, ku qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar maksimalisht dhe seriozisht thirrjen e autoriteteve shqiptare për të kufizuar lëvizjet në zonën ku janë të akomoduar tifozët, pranë stadiumit dhe për të mos përdorur automjetet në Tiranë.

Gjithashtu apelojmë për bizneset në Tiranë që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike.

Nëpërmjet kësaj daljeje publike apelojmë dhe adresojmë një thirrje për tifozët italianë dhe holandezë, të cilëve do t’ua komunikojmë edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare, që të sillen dhe veprojnë si qytetarë evropianë në qytet dhe në stadium, të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu