Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, e ka përjashtuar mundësinë e transferimit të Neymarit në Camp Nou nga Paris Saint-Germaini gjatë afatit kalimtar të verës, duke e theksuar krizën dhe dëmet financiare që i ka sjellë koronavirusi.
28-vjeçari Neymari ka qenë i spekuluar për një kthim te gjigantja e La Liga gjatë afatit kalimtar të verës, tre vjet pasi ishte larguar nga atje për t’u transferuar në Paris Saint-Germain për 222 milionë euro.
Neymari thuhej se e dëshironte një transferim të tillë edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo dy klubet nuk arritën marrëveshje dhe braziliani mbeti në Parc des Princes.
Megjithatë, shpresa e tij për t’u kthyer në Camp Nou nuk është shuar ende dhe ai shpreson se do të mundë ta realizojë këtë dëshirë të tij këtë verë, kur Barcelona shpreson ta bindë PSG-në me një ofertë më të ulët.
Ish-zëvendëspresidenti i Barcelonës, Emili Rousaud, zbuloi se Barcelona shpreson se këtë verë mund ta transferojë Neymarin pasi që beson se çmimet e lojtarëve do të bien pas krizës së koronavirusit, mirëpo trajneri aktual Quique Setien nuk pajtohet me këtë pretendim.
“222 milionë euro për t? Jo. Nuk mendoj se ndonjë klub do t’i ketë aq shumë para për t’i shpenzuar”, ka thënë Setien.
“Klubet e vogla janë duke e mbajtur veten me ujë tani. Shumë prej tyre jetuan në limite dhe sapo erdhi goditja e parë serioze, ata ranë në krizë. Futbolli jetonte në një rrjedhë të pakontrollueshme”.