Feronikeli nga Drenasi është në vend të pestë me 44 pikë dhe pretendon ta ruajë këtë pozitë deri në fund të kampionatit. Edhe tre javë kanë mbetur deri në fund të edicionit, kur do të dihet kampioni i ri i Kosovës dhe cila do të jetë skuadra e katërt që do t’i bashkohet Ferizajt, Vushtrrisë dhe Dukagjinit për në ligën e parë.
Kryetrajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, tha se në secilën ndeshje do të luajnë me seriozitetin më të madh.
Feronikeli i shkon Flamurtarit, e pret Trepçën ’89 dhe në fund luan me Ferizajn, si i sheh këto sfida, me presion që të arrini rezultat apo do t’i jepni rastin edhe disa lojtarëve të rinj, për ta treguar veten?
“Në secilën ndeshje do të luajmë me seriozitetin më të madh edhe pse tashmë motivi është i vështirë. Kuptohet që do të shfrytëzojmë edhe mundësin për më shumë hapësirë për disa futbollist”, tha Tovërlani për gazetën Kombëtare “Bota sot”.
Trajneri më i trofeshëm në vendin tonë, shprehet se, nuk ka qenë i lehtë rifillimi i kampionatit pas gjendjes që u krijua nga Covid 19.
“Jo vetëm për ne por për të gjithë ishte rifillimi i vështirë pas pandemisë e cila fatkeqësisht po zgjat ende. Frika ishte se mund të ketë lëndime por mendoj që nuk kemi kaluar keq në përgjithësi edhe pse dy-tre futbollist u lënduan rëndë por kjo ka mundur të ndodhë edhe në kushte normale sepse lëndimet janë pjesë e sportit”, thotë Tovërlani.
A është një kampionat korrekt?
“Personalisht mendoj që ata të cilët ankohen dhe akuzojnë të tjerët si referimin, federatën apo ndonjë rival fillimisht duhet ta qesin orarin e ndeshjeve dhe të shohin se sa kanë lënë pikë gjatë rrugës dhe sa herë kanë dështuar. Pra, para se të drejtojnë gishtin nga kush do është mirë të analizojnë vetveten. E mira është që janë katër skuadra në garë vetëm tri xhiro pa përfundu dhe kjo e ngrit adrenalinën dhe e bënë përfundimin më të bukur. Tash le ti “qërojnë” hesapet mes vete dhe të vendosin për fatin e tyre secili”, ka thënë Tovërlani.