Përkundër kërkesave të shumta që të lejohen tifozët të kthehen në stadiumet e futbollit, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Eroll Salihu, ka shuar shpresat se tifozët mund të kthehen këtë sezon në stadiume.
Pas gati tre muajve pauze, klubet kosovare u kthyen në fushën e lojës javën e kaluar për të zhvilluar ndeshje zyrtare, të cilat është vendosur që të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, si masë e ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Megjithatë, si në ndeshjet e Prishtinës dhe Ballkanit në mesjavë, edhe “Intelektualët” e Dritës në fundjavë e gjetën një mënyrë për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës – duke u grumbulluar në ndërtesat përreth stadiumit, prej nga ku dëgjoheshin në fushë duke motivuar skuadrën e tyre.
Trajnerët e klubeve kanë kërkuar që t’u lejohet tifozëve kthimi në stadiume, pasi që shumë reparte të tjera të shoqërisë kanë rinisur punën normalisht, mirëpo Salihu e vlerëson këtë si një rrezik që s’duhet të ndërmerret.
“Mendoj që në këtë kohë kur ka filluar të ngrihet prapë numri i të infektuarëve, është e paimagjinueshme… nuk guxon ta marrë një vendim të atillë Federata e Futbollit, pasi që për këtë varet nga vendimi i qeverisë”, ka thënë Salihu.
“Duhet ta përfundojmë këtë sezon, e pastaj për sezonin e ardhshëm do të veprojmë së bashku me institucionet tona. Një ndeshje qëështë zhvilluar në Angli gjatë pandemisë, ekspertët kanë konstatuar se ajo ka qenë katastrofale”.
“Në shpresojmë që ndoshta sezonin e ardhshëm të ketënjë distancë sociale mes dy-tre karrigave, t’u përmbahemi rregullave. Por, për këtë gjithmonë duhet leje nga qeveria”.