Sot zgjidhet presidenti i ri i Shqipërisë – deklarata e Metës, Ramës dhe Berishës për kandidatin …

0
Sot zgjidhet presidenti i ri i Shqipërisë – deklarata e Metës, Ramës dhe Berishës për kandidatin …
Gjigandi

Kuvendi i Shqipërisë sot në orën 18:00 pritet të votojë për presidentin e ri.

Një ditë më parë Bajram Begaj, u propozua si kandidat për president nga Partia Socialiste e Shqipërisë, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot mblodhi Grupin parlamentar të Partisë Socialiste (PS) për të marrë nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e Begajt për postin e presidentit të ri.

Rama e vlerësoi Begajn si një person që përmbush të gjitha kriteret e nevojshme për të qenë në krye të shtetit, raporton abc24.al.

“Një proces që për natyrën e vet është jo i lehtë, për shkak se siç e kemi diskutuar bëhet fjalë për të identifikuar një figurë që do të përmbushë kërkesa shumë specifike, por për të garantuar edhe respektin dhe mos cenimin e të gjithë kandidatëve potencialë në një proces diskutimi që kthehet në thashethemnajë. Kështu procesi që ne zhvilluam këtu në grup na dha të drejtë në fund.

Marrja e propozimeve nga gjithë anëtarësia e grupit me zarfe që u vunë në dispozicion të kryesisë për një diskutim konkret. Na mundësuan që të arrijmë në një konkluzion që përmbush nevojën për një njeri normal. Për një figurë me profil sa të lartë, aq edhe të paangazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike. Kjo na bën të ndihemi sot të lehtësuar nga barra e përzgjedhjes si forca dominuese që ka përgjegjësinë. Dhe po ashtu na bën të ndihemi mirë me shqiptarë përtej hapësirave të kufizuara”, tha Rama.

RonaTyra

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Ndërkaq, kundër kësaj kandidature ka dalë kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai në një postim në Facebook e ka quajtur një akt antikushtetues dhe precedent të rrezikshëm për vendin dhe demokracinë, propozimin e Partisë Socialiste për kandidatin për President.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

“Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë. Të dashur miq, propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit me pasoja shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit”, ka shkruar Berisha.

E për kandidaturën e Begajt ka reaguar sot edhe presidentit i Shqipërisë, Ilir Meta përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi.

Në njoftim thuhet se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është në ndjekje të procedurës për kandidatin për president Bajram Begaj dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e zotit Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë. Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi”, thuhet në njoftim.

E për kandidaturën për president, ka reaguar sot edhe vet kandidati Bajram Begaj.

Kandidati i Partisë Socialiste për president të Shqipërisë thotë se lajmi për të qenë në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme ishte i papritur për të.

Në një letër të gjatë, falënderuese për ata që zgjodhën, Begaj thotë se nëse Kuvendi do të vendosë që  të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës, respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës së tij në atë detyrë të lartë.

Kandidati për president të Shqipërisë, Bajram Begaj

“Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar”, shkruan Begaj.

“Me mirënjohje të thellë dhe respektin më të lartë për bashkëpunëtorët, kolegët, anëtarët e familjes së madhe të Forcave të Armatosura të Republikës, kam nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra e lartë ku kam pasur deri më sot nderin e përgjegjësisë së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi.

Puna ime si mjek dhe si ushtarak më ka mësuar shumë, po mbi të gjitha më ka mësuar vlerën e respektit për tjetrin dhe të dashurisë për atdheun.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë sot që unë do të jem Presidenti i ardhshëm i Republikës, respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar.

Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë. Shqipërinë mbi gjithçka”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, seanca e Kuvendit të Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të ri është caktuar në orën 18:00.

Në këtë raund mjaftojnë 71 vota për të caktuar kështu pasardhësin e Ilir Metës, që dorëzon detyrën në 24 korrik. /abc24.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu