Ylli holandez i futbollit, Wesley Sneijder, ka thënë se ka mundur të arrinte nivelet e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, por nuk ishte i përkushtuar si dy superyjet e mëdha.
35-vjeçari u pensionua nga futbolli në vitin e kaluar pasi kishte fituar trofe të mëdha gjatë karrierës, si edhe kishte regjistruar 134 paraqitje me kombëtaren e Holandës.
Karriera e tij u zbeh pas vitit 2010 kur e fitoi tripletën me Interin dhe arriti në finale të Kampionatit Botëror në Afrikën e Jugut. Niveli i tij i lojës u dobësua, prandaj u desh të transferohej në klube, si Galatasaray, Nice e Al-Gharafa.
“Kam mundur të bëhesha si Messi ose Ronaldo. Thjesht nuk doja të bëhesha i tillë. E kam shijuar jetën, ndoshta pija një gotë (verë) në darkë. Leo dhe Cristiano janë ndryshe, ata kanë bërë shumë sakrifica”.
“Për mua është në rregull, megjithatë karriera ime ishte mahnitëse”, ka deklaruar Sneijder në një prononcim për DiMarzio.
Në vitin 2010, ai ishte konkurrent edhe për Topin e Artë, mirëpo mbeti prapa yjeve të Barcelonës, Xavi, Andres Iniesta dhe Lionel Messi.