Autoritetet sllovake kanë ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të cilët dyshohen për vrasjen e një gazetareje hulumtuese dhe të fejuarit të saj. Ky rast kishte nxitur protesta masive kundër nivelit të lart të korrupsionit dhe e kishin detyruar kryeministrin e atëhershëm, Robert Fico, të japë dorëheqje.
Në deklaratën e prokurorit të shtetit thuhet se në mesin e gjashtë akuzave për vrasjen e Martina Kusnirova-s dhe Jan Kuciak-ut në vitin 2018 është edhe akuza për vrasje të paramenduar.
I dyshuari kryesor është Marian Kocner, një biznesmen i lidhur me politikën, i cili ka qenë pjesë e shkrimeve raportuese të gazetarit Kuciak për korrupsionin dhe nepotizmin në Sllovaki. Prokurorët besojnë se ky person e ka porositur vrasjen e gazetarëve, ndonëse ai i ka mohuar akuzat.
Kuciak dhe Kusnirova u vranë me armë zjarri në shtëpinë e tyre afër Bratisllavës në shkurt të vitit të kaluar. Ky rast e kishte tundur skenën politike të këtij shteti dhe solli protesta masive, në të cilat morën pjesë rreth 70 mijë persona.
Koalicioni qeveritar i kishte mbijetuar kësaj krize, por zemërimi i publikut është rritur pas publikimit të hollësive të vrasjes, të cilat tregojnë se Kocner kishte ndikim të madh në organet shtetërore, shkruan “The Guardian”.